Kosova dhe Shqipëria synojnë ta heqin kufirin ndërmjet dy vendeve me qëllim lehtësimin e procedurave të kalimit të njerëzve dhe mallrave.
Më 29 dhjetor të vitit të shkuar, si hap i parë u nënshkrua marrëveshja dhe filloi së funksionuari një pikë e përbashkët kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa, disa muaj më vonë pretendohet që të hiqet kontrolli kufitar.
Ky vendim i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka ngjallur edhe reagimin e politikanëve të Serbisë.
Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin, e interpreton ndryshe heqjen e barrierave kufitare Kosovë-Shqipëri. Ai thotë se po “krijohet Shqipëria e Madhe”, e për këtë thotë se disa herë i kërkuar Presidentit serb Aleksandër Vuçiq që ta shqyrtojë politikën ndaj Bashkimit Evropian, për shkak që Evropa “nuk po e ndalon këtë”.
“Shqipëria e madhe nuk mund të krijohet e të mos shkaktojë konflikte në Ballkan, jo vetëm me Serbinë e jo vetëm me serbët. Kryeministri shqiptar tashmë ka paralajmëruar se dëshiron t’i fshijë kufijtë me Malin e Zi, Maqedoninë e Greqinë dhe porosit se kudo që jetojnë shqiptarët nuk do të ketë kufij ndërmjet tyre. Kështu formohet “Shqipëria e madhe”, thotë ministri serb i mbrojtjes Vulin, citon agjencia e lajmeve serbe FoNet.
Njohësi i çështjeve ballkanike, Naim Rashiti në një intervistë për Deutche Welle për këtë çështje thotë se se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri ka hyrë në një fazë të re për shkak të zhvillimeve evropiane dhe rajonale.
“Serbia së bashku me Rumaninë, Bullgarinë dhe Greqinë në kuadër të agjendës evropiane po dëshiron një Adriatik tjetër, dhe kjo e ka detyruar Kosovën dhe Shqipërinë që të avancojnë bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive. Kosova dhe Shqipëria kanë qenë realisht të penguara që të bashkëpunojnë për shkak të dy proceseve kryesore, të negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe kritereve të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për aq kohë sa Kosova nuk e merr liberalizimin e vizave, heqja e kufirit me Shqipërinë duket e pamundur”, thotë Naim Rashiti.
Rashiti thotë se problemi kryesor në Ballkan është ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe jo Kosovës dhe Shqipërisë apo Shqipërisë dhe Serbisë, ndërsa, moszgjidhja e problemit të Kosovës dhe Serbisë ka filluar të krijojë efektet negative.
“Çështja e taksës e vendosur nga qeveria e Kosovës për produktet serbe po shfaq problemin kryesor në Ballkan. Të ndodhur në këtë situatë, atëherë Kosova do të detyrohet që me të tjerët përfshirë këtu edhe Maqedoninë të hapë linja të reja bashkëpunimi edhe më të madh. Telashet Kosovë-Serbi dhe bashkëpunimi bilateral Serbi-Shqipëri, po shfaq dështimin e të gjitha iniciativave rajonale të krijuara nga BE-ja”, thotë Naim Rashiti, duke shtuar se tash vijnë në pah marrëdhëniet bilaterale ndërmjet shteteve./DW/