Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një konferencë për media, ka thënë që taksa 100 për qind e vendosur ndaj mallrave serbe është vendim vetëm i Qeverisë, dhe i askujt tjetër, raporton Gazeta Blic.
“Komisioneri Hahn ka ofruar ndihmë, ne kemi thënë që mundet me na ndihmu ta përgatitim kapitullin e tregtisë së lirë, kjo nënkupton të gjitha marrëdhëniet e Kosovës e Serbisë në ekonomi. Nuk bën të suspendohet taksa e të mos i njohë tabelat e Kosovës. Nuk ka më marrëdhënie kur vetëm Kosova e hap derën, taksa anulohet vetëm me vendim të qeverisë”, tha ai.
Mes tjerash, Haradinaj tha që nuk është rastësi që është rritur presioni për heqjen e taksës, ai po ashtu ka thënë që është për keqardhje që disa parti janë ligë dhe japin sugjerime të ndryshme rreth heqjes së taksës.
“Nuk është rastësi që është rritur ky presion, po më vjen keq që disa parti janë ligë. E me na dhanë sugjerime se që 20 vjet nuk kanë dhënë ndonjë suksese. Ne nuk po e bëjmë këtë kundër askujt. Mirëpo për të mirën e Kosovës. Kosova nuk është ajo se mund t’i thonë se çfarë duhet bërë. Vendimi i taksës është vendim i qeverisë, mund të rrijë përgjithmonë”, ka përfunduar kryeministri.