Getoar Mjeku, të cilit Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), nuk i ka njohur gradën e doktoratës së tij të marr në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), thotë se ka shtruar padi kundër ministrisë në gusht të vitit 2017.
Mjeku ka thënë se Ministria e Arsimit i ka njohur doktoratën në drejtësi si gradë të nivelit shtatë të kosovar, që i bie master. Sipas mjekut ky vendim i ministrisë është i padrejtë, pasi që Mjeku thotë se grada e tij i takon nivelit të 8 që i bie doktoratë.
Getoar Mjeku vendimin e ministrisë e quan të paligjshëm dhe diskriminues.
“Vendimi i saj, megjithatë, mbetet i paligjshëm dhe diskriminues. Tetë vjet të studimeve nuk barazohen me katër vjet, andaj unë s’do të heq dorë nga ajo që më takon. Unë po kërkoj që në Kosovë me i gëzu të drejtat që i gëzoj në Shtetet e Bashkueme”, ka shkruar Mjeku.
Ndërsa, MAShT ka dhënë një sqarim pse Getoar Mjekut nuk i është pranuar doktorata.
“Akuzat e z. Getoar Mjeku ndaj MAShT për mos njohjen e gradës së doktoraturës nuk qëndrojnë, pasi që i njëjti nuk ka përfunduar studime të doktoratës në Amerikë, por ka marrë gradën JD (Juris Doctor), e cila nuk është ekuivalente me gradën JSD apo SJD“Doktor i Shkencave Juridike”.
Ministria e Arsimit thotë se “mjafton një kërkim i thjeshtë në Internet për këtë dhe do ta kuptoni ndryshimin në mes JD (Juris Doctor) dhe atë JSD apo SJD “Doktor i Shkencave Juridike”.
Një rast të ngjashëm kishte pasur edhe deputeti i sotëm i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu.
Sejdiu i cili kishte ndjekur shkollimin e njëjtë si të Getoar Mjekut për juristë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu kishte qenë edhe profesor asistent në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, para pesë vite iu kishte marr licenca e avokatit pasi që nuk i kishte plotësuar kushtet për mbajtjen e licencës. /Insajderi.com