Ish-Këshilltari i Isa Mustafës, Bajram Gecaj ka lëshuar kritika se pse të zgjedhurit e partisë s’kanë dalë në mbrojtje të liderit. Ka thënë se një heshtje e tillë është e pashpjegueshme.
“Është vërtetë dëshpëruese dhe tej mase irrituese kur sheh këtë fushatë të egër dhe të orkestruar propagandistike kundër LDK-së dhe liderit të sajë, derisa e njëjta vështrohet me një heshtje thuaja totale e të pashpjegueshme nga strukturat partiake, në veçanti nga ata të cilët kanë marrë besimin e partisë dhe votën e elektoratit!”, ka shkruar Gecaj.
Reagimi i tij ka ardhur pas deklaratave të Dardan Gashit se LDKështë shndërruar në Degë të Vetëvendosjes e po kontrollohet dhe udhëhiqet nga Albin Kurti.
Enver Hoxhaj, po ashtu, tha sot se LDK’ja për asnjë çështje s’ka mendim të prerë derisa më shumë i ngjan një kopjeje të Vetëvendosjes.
E, këshilltari i Kadri Veselit, Blerim Latifi tha se pronari i VV’së i ka indoktrinuar zyrtarët e LDK’së.
Të shtunën për Express, Zëvendësi i Ramush Haradinajt në Qeveri, Dardan Gashi, e ka dhënë një shpjegim se pse Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova po refuzon të bëhet pjesë e dialogut përfundimtar me Serbinë. Po thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës po vepron siç po merr instrukcione prej Albin Kurtit.
Madje, ish-zyrtari i LDK’së ka deklaruar se Partia e Isa Mustafës është bërë Degë e Vetëvendosjes.
Dardan Gashi ka vlerësuar se disa eksponentë – sidomos gjenerata e re e LDK’së – më shumë besojnë në idetë e Albin Kurtit se sa në vizionin e Ibrahim Rugovës.
“Me këtë mendësi që kanë disa nga eksponentët e LDK’së duhet ta rishikojnë a janë më shumë “Abinista” a “Rugovista””, ka thënë Gashi.
“Me këtë politikë, LDK është Degë e Vetëvendosjes. Nuk është duke vepruar si parti politike por po vepron sipas dëshirave dhe inercioneve të prodhuara nga Albin Kurti”, ka shtuar ai.
Isa Mustafës i ka mbetur shumë hatri pse një zyrtar i Qeverisë së Kosovës tha se LDK është shndërruar në Degë të Vetëvendosjes dhe po urdhërohet prej Albin Kurtit.Krejt akuzat e Dardan Gashit se LDK ka rrëshqitur në filozofinë “albiniste”, Shefi i LDK’së i ka ndërlidhur me emrin e Kadri Veselit. Ka thënë se Kryetari i PDK’së po i bën fushatë me bashkëpunëtorët e tij kundër LDK’së.
Mustafa e ka krahasuar Kryetarin e PDK’së, Kadri Veselin me Serbinë në fushën e provokimeve. Ka thënë se provokime si të Veselit bën edhe shteti serb.
“Kadriu (Kadri Veseli) si Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i PDK-së, dhe lakenjtë e tij s’lënë gjë të keqe pa ia atribuuar LDK-së, e njollosin me llojlloj etiketimesh, e në anën tjetër kërkojnë që LDK të bashkëpunojë më ta dhe me koalicionin e tyre në dialog”, ka shkruar Mustafa.