Edon Zhegrova aktualisht mund të jetë ndër futbollistët më të lumtur në botë.
Derisa mediat e mëdha evropiane po raportojnë se dy gjigantët e kontinentit të vjetër, Milani dhe Barcelona kanë shprehur interesim për mesfushorin ofanziv të Genkut, vetë lojtari shpreh kënaqësi që emri i tij këto ditë po ndërlidhet me klubet e mëdha nga Italia dhe Spanja.
Zhegrova e ka komentuar interesimin e Milanit dhe Barcelonës për shërbimet e tij në një prononcim për Gazetën Express.
19-vjeçari tregoi se edhe disa klube tjera të mëdha kanë shprehur interesim për shërbimet e tij, duke mos e përjashtuar një lëvizje së shpejti, pasi tha “jemi në bisedime për ta zgjedhur opsionin më të mirë për mua”.
“Po ndihem shumë mirë. Normalisht se do të ishte nder për mua të luaj në një klub si Barcelona apo Milani. Por, kam edhe oferta të tjera dhe jemi në bisedime”, ka deklaruar Zhegrova për Express, rreth thashetheme të medieve botërore për interesimin e Barcelonës dhe Milanit.
Zhegrova nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit nga klubi i madh belg qysh në afatin kalimtar të janarit. “Nuk dihet, jemi në bisedime”, tha ai.
“Edhe pse nuk kam pasur minuta të mjaftueshme me Genkun, unë kam punuar shumë dhe do të vazhdoj të punoj si gjithmonë. Tash jemi në bisedime për ta zgjedhur opsionin më të mirë për mua”, theksoi futbollisti i transferuar jashtë Kosovës para pak vitesh nga gjiganti kosovar, FC Prishtina.