Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi ka kërkuar që greva të ndërpritet dhe të fillohet procesi i rregullt mësimor. Ai ka shtuar se nxënësit janë ata që po e pësojnë më së keqi, njofton Gazeta Blic.
Ai, pas vendimit të kryeministrit, Ramush Haradinaj për rritjen e pagave të mësimdhënëseve, ka pritur gjatë ditës së sotme në një takim drejtorët dhe kryetarët e Sindikatave të shkollave në Komunën e Obiliqit. Në takim është arritur edhe pajtueshmëria që mësimi duhet të fillojë sa më parë.
Shihni shkrimin e plotë të Xhafer Gashit të bërë në “Facebook”.
Pas vendimit të Kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagave të mësimdhënësve, sot prita në një takim pune të gjithë drejtorët dhe kryetarët e Sindikatave të shkollave në komunën e Obiliqit. Bashkëbiseduam dhe ndamë shqetësimin e përbashkët e të gjithë prindërve – nxënësve për mos vijimin e mësimit të rregullt, ku bashkarisht u pajtuam që mësimi duhet të fillojë sa më parë. Ndërsa kryetarëve të Sindikatës të cilët kishin qëndrime kontradiktore dhe të kundërta, ju kërkova që të gjendet një mënyrë tjetër e protestës dhe të fillohet procesi i rregullt mësimor, duke e pasur parasysh se janë nxënësit ata që po e pësojnë më së keqi.
Si kryetar i Komunës, ju bëjë thirrje të gjithë mësimdhënësve të kenë parasysh humbjet që janë duke ju shkaktuar nxënësve, të kontribuojnë që të gjendet një zgjidhje për të filluar procesin mësimor nga nesër, me datë 22.01.2019.