Një ekspozitë e organizuar nga bashkëshortja e ministrit të jashtëm të Republikës së Kosovës, në hapësirat e Parlamentit Evropian i kishte ngritur temperaturën Ambasadores së Misionit të Përhershëm të Serbisë në Bruksel, Ana Hrustsnoviq, duke e bërë këtë të fundit që t’i dërgojë edhe Notë Proteste eurodeputetëve të Parlamentit Evropian, që ishin bashkë-organizatorë dhe paralelisht me këtë duke i ftuar, që të kenë konsideratë në lidhje me statusin e kishave dhe trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë dhe duke e ndërlidhur që kjo do të mund të ndikonte negativisht në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.
Burime të besueshme të portalit njoftojnë se ekspozita “Bashkëjetesa Natyrore Kulturore”, që ishte kombinim i veprave të artit me motive të bashkëjetesës në Kosovë si dhe prezantim i fotografive më të mira të fotografëve kosovare brenda godinës së Parlamentit Evropian ishte një ngjarje e papërballueshme për diplomacinë serbe dhe ata u munduan që me çdo kusht të ndalin organizimin e saj, por që nuk kishin sukses.
Kjo ekspozitë u hap dje në Strasburg, brenda godinës së Parlamentit Evropian, ndërsa ishte Bashkë-organizim i Fondacionit zvicrano-kosovar “Ibrahim Kodra”, Ministria e Punëve të Jashtme dhe disa parlamentar Evropian.
Ky aktivitet lobues është rezultat i kërkesës së Ministrit Pacolli, që të gjitha misionet diplomatike të Republikës së Kosovës, në këtë rast Ambasada Brukselit, të realizojnë aktivitete lobuese dhe afirmative të karakterit kulturor dhe shkencor.
Ekzemplarët, që u ekspozuan në këtë ekspozitë arti, përfshijnë punime të përzgjedhura me rastin e garës kombëtare në lidhje me trashëgiminë kulturore si dhe punime nga punëtoria e Muzeut Kombëtar të Republikës së Kosovës, në kuadër të punëtorisë “Projekti Ekologjik i Artit”, ku në bashkëpunim me Asociacionin Kombëtar të Autizmit, fëmijët nga “SOS”, dhe Shkollën e Artit nga Gjilani “Adem Jashari”, janë bërë punime në lidhje me atë se si e shohin fëmijët Kosovën në paqe dhe në drejtim të realizimit të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm si platformë zhvillimore globale e OKB-së.
Të ftuar në këtë ceremoni ishin personalitete të larta të vendeve evropiane, eurodeputetë dhe këshilltarët e Parlamentit Evropian, përfshirë edhe të ftuarit nga Fondacioni Kodra si: Martina Spagnuolo, Maria Pacolli, Giulia Ilina.
Fondacioni Kodra, i themeluar në Zvicër ka si synim shfrytëzimin e veprave të artit në funksion të promovimit të paqes dhe diversitetit kulturor gjithandej në Evropë, dhe veçanërisht në përkrahje të Kosovës.
Ministri Pacolli e ka falënderuar deputetin Kyuchyuk për përkrahje dhe afirmimin e zhvillimeve në Kosovë dhe Ballkan.