Kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti ka reaguar ndaj akuzave të LDK-së rreth Ekipit Negociator të Kosovës në Bruksel.
Ahmeti ka hedhur poshtë pretendimet e partisë së Isa Mustafës së ekipi që udhëheq ai dhe Limaj s’kanë legjitimitet kushtetutës.
“LDK po mendon se e pret e gjithë bota deri sa të është i gatshëm dikush prej tyre me u përfshi, Proceset po ecin. Një parti e cila pretendon të ketë përqindje të madhe të votave nuk e di pse e përjashton veten nga ky proces. Nëse nuk përshihet për Kosovën për çka eksitojnë dhe për çka janë në politik. Ne kemi mandat të qartë nga Kuvendi, sipas Kushtetutës së vendit”, ka thënë Ahmeti për “Indeksonline”.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konferencë ku ekipin negociator e ka quajtur pa legjitimitet.
Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa është shprehur se LDK ka qenë gjithmonë për dialog, por është për të mbrojtur shtetin e Kosovës me kufijtë e shpalljes së pavarësisë.
“Është për një dialog ku Serbia e njeh shtetin e Kosovës e jo të na caktojë kufijtë. Dialogun nuk mund ta udhëheqin parti e grupe të cilat nuk i kanë shumicën e votave në Kuvend. Presim caktimin e zgjedhjeve të përgjithshme”, ka deklaruar ai.