Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim lajmin e publikuar në medie lidhur me tendencën e zyrës së Presidencës, për ndikim mbi Transmetuesin Publik të Kosovës.
Përmes një komunikate për media AGK-ja thotë se, “kjo përpjekje për të dirigjuar pyetje dhe agjenda mbi mediet është e papranueshme dhe skandaloze, aq sa lehtësia dhe gatishmëria e atyre që janë të thirrur për ta mbrojtur profesionin, për t`iu nënshtruar këtyre agjendave politike, qoftë vullnetshëm ose përmes ndikimit, duke shfrytëzuar hierarkinë editoriale”.
AGK u bën thirrje të gjithë gazetarëve që t`i qëndrojnë besnik parimeve profesionale dhe i inkurajon ata që të mos bëjnë veprime që mund ta rrënojnë kredibilitetin e tyre profesional dhe të komunitetit të gazetarëve në përgjithësi.
“Asociacioni inkurajon gazetarët që të gjitha rastet e ndërhyrjeve joprofesionale, ndikimit, censurës dhe presionit, qoftë brenda redaksive apo edhe nga jashtë, t`i denoncojnë publikisht me kohë”, thuhet në komunikatë.
AGK-ja kërkon nga organet drejtuese të RTK-së që të mos heshtin ndaj kësaj çështjeje dhe ta adresojnë konform rregullativës së brendshme dhe standardeve profesionale. Kjo pasi rastet e tilla dëmtojnë imazhin e transmetuesit publik dhe komunitetit të gazetarëve në përgjithësi.