Nga data 14 janar disa ish-ushtarë të UÇK-së do të dëshmojë para Hagës për krimet e luftës në Kosovë. Sot për në Hagë është nisur edhe ish-komandanti i UÇK-së në zonën operative të Drenicës, Sami Lushtaku ndërsa pritet të niset edhe komandanti i zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa.
Lushtaku sot në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, është përcjellur nga të afërm e familjarë. Në mesin e tyre kanë qenë të pranishëm edhe deputeti, Milaim Zeka, deputetja, Ganimete Musliu e ish shefi grupit parlamentar të PDK-ës, Adem Grabovci.
Musliu dhe Grabovci janë parë teksa kanë përshëndet Lushtakun para se ai të niset për në Hagë.
Theksojmë se Sami Lushtaku para mediave tha se nuk e di se në çfarë cilësie është ftuar, por do t’a mësoj me 16 janar në ditën kur do të intervisohet. Avokati i dy ish-komandantëve, Arianit Koci është shprehur i bindur se siç do të shkojnë mirë, do të kthehen mirë.
Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Gjykata do të veprojë në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, por me ligjet e Kosovës.
Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, para dhe gjatë luftës. Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./Insajderi.com