Efekti i vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës 100 përqind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është mbi 65 milionë euro.
Kështu thotë drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha në një intervistë për KosovaPress, ku njofton se importi nga këto dy vende ka shënuar rënie të mëdha.
Pavarësisht këtij vendimi, Berisha ka thënë se bazuar në projeksionet e qeverisë për vitin 2018, dogana ka arritur të përmbush planin e të hyrave sipas trendeve në fushën e importeve.
Berisha: Kemi inkasuar mbi 20 milionë euro më shumë se më 2017
“Kemi një ritëm pozitiv, një trend pozitiv, kemi diku rreth 20 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Vitin e kaluar kemi 1 miliard e 121 milionë, ndërsa këtë vit i kemi 1 miliard e 140 milionë. Efekt në të hyra ka pasur edhe politikat fiskale, të cilat kanë hy në fuqi që nga janari i këtij viti, gjithashtu edhe ndikimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, por edhe kufizimi i importit të veturave dhe nëse këto të tirja i bëjmë së bashku, tregon që efekti i krejt këtyre lirimeve është rreth 150 milionë euro brenda vitit”, thotë Berisha.
Duke folur për ndikimet e taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, Berisha ka thënë se 8 deri 10 milionë euro është vlera e mallrave më pak të importuara nga BeH.
Berisha: Mbi 65 milionë euro efekti masës ndaj produkteve të Serbisë dhe BeH
“Fillimisht masa 10 përqind pastaj 100 përqind më 21 nëntor, bazuar me të dhënat e vitit të kaluar për periudhën e njëjtë kohore, tregon se nga këto dy vende kemi mbi 65 milionë euro efekt në vlerën e mallit, që është importuar më pak. Sigurisht që efekti në të hyra është nga këto masa, për arsye se bizneset kanë pasur të pamundur të zëvendësojnë produktet për një kohë të shkurt dhe efekti më i madh është për shtetin e Kosovës , efekti politike, efekti ekonomik, kur themi ekonomik e themi për prodhuesit kosovar… Efekti financiar që ka ndikuar në të hyrat e planifikuara nga dogana do të zëvendësohet me rritje të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë tonë vendore”, ka thënë Berisha.
Dogana e Kosovës pas vendimit të Qeverisë ka rritë nivelin e kontrollit për mundësinë e kontrabandës së mallrave me akcizë në pjesën veriore të Kosovës, por sipas Berishës prapë mbetet sfidues, sepse në këtë kohë rrjetet e krimit të organizuar tentojnë të përfitojnë prej kësaj mase.
Berisha: Pjesa veriore mbetet sfiduese për Doganën
“Veriu ka qenë dhe është një sfidë për Doganën e Kosovës, për institucionet e zbatimit të ligjit për luftimin e kriminalitetit atje. Edhe pas marrjes së masave mbrojtëse në import, deri tani nuk kemi një rritje të theksuar ose diçka që është shqetësuese. Pse e them këtë? Sepse edhe institucionet e zbatimit të ligjit, të gjitha në Kosovë, që janë prezent si ato ndërkombëtare por edhe ato vendore, kanë rritë forcat e tyre dhe njësitë operative që veprojnë në këto zona, me qëllim të parandalimit të kontrabandës. Ne kemi pasur disa raste, por janë raste individuale. Është e vërtetë se çdo herë kur ka ndryshime në politika fiskale ose tek ato mallra të cilat kanë taksa të larta, që në këtë rast edhe masa mbrojtëse 100 përqind është në fuqi, rrjetet e krimit të organizuar tentojnë të përfitojnë”, thotë ai.
Ndërsa, sa i përket cilësisë së derivateve, Berisha thotë se deri tani importi i karburanteve në Kosovë është në nivelin e pranueshëm sipas legjislacionit në fuqi, sepse sipas tij, ka pasur raste të pakta që janë kthyer nga kanë ardhur.
Mirëpo, drejtori i Doganës thotë se duhet potencuar se ekziston një rrezik jo në masë të madhe, por disa individ mund të bëjnë përzierjen ose manipulimin e derivateve në brendi të vendit.
Berisha: Manipulimi me cilësinë e derivateve bëhet në brendi
“Kontrolli është i mirë, kualiteti në import është i mirë. Ekziston një rrezik potencial, por në raste të vogla në brendi që të ketë ndonjë manipulim të përzierjes së karburanteve me vajra apo diçka tjetër…. Përgjegjësia duhet të jetë e përbashkët, qytetarit, institucioneve të Qeverisë por edhe të gjithëve, t’i lajmërojmë këto dukuri në inspektoratin e Ministrisë së Tregtisë, sepse ata e kanë kompetencën në brendi të vendit”, ka potencua Berisha.
Ai ka shtuar se nga janari Dogana e Kosovës do të hap një Zyrë në portin e Durrësit, e cila do të lehtësoj qarkullimin në kufi, në Vërmicë-Morinë.