Osman Berisha, ndihmës-manipulant në Korporatën Energjetike të Kosovës, sapo ka filluar punën në ndërrimin e tretë të orarit të punës, raporton KTV.
Ai, bashkë me kolegun e tij, po përkujdesen që çdo pajisje në Termocentralin B të jetë në rregull.
Përveç Berishës, në punë ishin edhe 60 punëtorët të cilët punuan që operimi të shkonte sipas planit 24-orësh dhe të mos ketë probleme në prodhim.
Inxhinieri në Termocentralin B, Afrim Berisha, ka thënë se gjatë festave janë shtuar edhe ekipet kujdestare.
Në vizitë te punëtorët për festën e Vitit të Ri ishte drejtori, Njazi Thaçi.
Thaçi tregoi se, pak ditë para festës, është arritur që të përfundohet remonti i bllokut 2 në Termocentralin B.
Kjo ka bërë që dy termocentralet, për festë, të prodhojnë energji me të gjitha kapacitetet.
Pas mesnatës, punëtorët e ndërmarrjes u vizituan edhe nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.