Fati i personave të pagjetur në luftën e fundit në Kosovë, do të jetë edhe tema e parë mes Kosovës dhe Serbisë kur dialogu të rifillojë.
Kështu ka bërë të ditur presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë një konference të fundvitit për të gjitha mediat, raporton Indeksonline.
Sipas tij, tani më është zyrtare që kjo do të jetë tema e parë që do diskutohet kur të vazhdojë dialogu.
“Pa dyshim që do të jetë pjesë e dialogut. Çështja e personave të zhdukur, me aq sa jam njoftuar nga ekipi negociator do të jetë pika e parë që do të diskutohet dhe kjo tani është zyrtare”, është shprehur Thaçi.
Ndërsa, ai është pyetur se kush ka paguar për një ndej private në të cilën ka qenë pjesë edhe vet presidenti.
Sipas tij, në këtë ndej ka qenë vetëm i ftuar, kështu që nikoqiret Kadri Veseli dhe Agim Bahtiu janë ata që duhet të tregojnë për këtë gjë.
“Sa i përket ndejave privat, kam qenë i ftuar në një ndej krejt private, me njerëz që kanë qenë prej të parëve të UÇK-së, pa ata që nuk mund të kishte liri e as pavarësi të Kosovës. Kam pasur tri ndeja private dhe ka qenë një ndej shumë e mirë, pa diskutime politike e përcjell edhe me motive folklorike e me emocione tejet të larta patriotike. Nuk ka pasur diçka politike. Unë nuk kam paguar për atë ndej pasi kam qenë i ftuar jo nikoqir. Me rregull pagesën e bën nikoqiri, e në këtë rast kanë qenë Kadriu dhe Bahtiri”, ka thënë ai./Indeksonline/