Nënkryetari i Listë Serbe Igor Simiq ka deklaruar se ka informata se komisionari evropian Johannes Hahn nuk e ka në agjendën e vet të takohet me deputetët e Listës Serbe gjatë vizitës në Kosovë, mirëpo ata do ta presin nëpër hapësirat e Kuvendit të Kosovës “për ta informuar për dëmet e vendimit të Qeverisë së Kosovës mbi taksat prej 100 për qind në import të prodhimeve serbe.
Ai për RTS ka thënë se për shkak të një vendimi të tillë serbët në Kosovë “rrëshqasin në krizë humanitare për shkak të mungesës së barërave, ushqimit dhe shtypit të cilat nuk i kanë tashmë 10-11 ditë”.
“Ajo çfarë kemi marrë si përgjigje në kërkesën tonë të takohemi me të është se e kemi marrë një mesazh, të njëjtin e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit e BE këtu në Kosovë. Tani për tani nuk kemi konfirmimin e takimit mirëpo qëndrimi ynë është që do të mbetemi këtu gjatë natës dhe ta presim ardhjen e tij”, ka thënë Simiq.
“Do të mbetemi këtu që të luftojmë në mënyrë paqësore dhe demokratike për të drejtat e popullit serb dhe presim që Johannes Hahn dhe të gjithë në BE do të na dëgjojnë për probleme me të cilët po ballafaqohen serbët në Kosovë.
Komisionari evropian për zgjerim dhe politikë të fqinjësisë së mirë Johannes Hahn sot do ta vizitojë Beogradin dhe Prishtinën ku duhet të bisedojë për vendimin e Qeverisë së Kosovës mbi futjen e doganave në mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, pretendohet në Twitter, në mesazhin e ekipit të Hahnit./Insajderi.com.