Delegacioni i Kosovës për dialogun me Serbinë do të shkojë në Bruksel më 8 janar të vitit të ardhshëm për t’u takuar me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.
Këtë e ka konfirmuar bashkëdrejtuesi i këtij delegacioni, Shpend Ahmeti, pas një takimi që zhvilloi sot me Presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të ftuar nga ky i fundit.
“Ne do të kemi trasparencë të plotë në këtë proces mbi atë se çka po diskutohet. Më 8 janar jemi të ftuar në Bruksel që të informohemi për platfomat dhe temat”, tha Ahmeti pas këtij takimi.
“I kemi marrë të gjitha dokumentacionet dhe informatat e nevojshme. Me Presidentin kemi diskutuar që temat e hapura t’i kemi në matricën tonë si delegacion. Nga tema e të zhdukurve deri në çështjen e pronave janë çështje që duhet të përmbyllen në këtë proces”, shtoi Ahmeti.
Ai tha se ka kërkuar që tash e tutje, kosovarët t’i lënë anash qëndrimet personale rreth dialogut dhe të flasin “me një zë”.
Por duket se kjo kërkesë nuk i është përmbushur.
“Natyrisht që sot s’ka pasur pajtueshmëri të plotë por do të zhvillojmë takime. U dakorduam që pas çdo takimi të nivelit të lartë të kemi një takim informues”, tha ai. / Kallxo.com