Partia e serbëve kosovarë (Partija kosovskih Srba – PKS), në krye të së cilës gjendet ish-kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq (dhe ish-ministër për Komunitete e Kthim në Qeverinë e Isa Mustafës) e ka dënuar në mënyrën më të rreptë “fushatën reklamuese të Listës Serbe dhe të mentorëve të saj nga Prishtina e Beogradi”, transmeton Koha.net.
“Dëshira e amatorëve politikë nga Lista Serbe për të marrë poenë të lirë në fatkeqësinë e popullit serb të cilën vetë e nxiten duke e përkrahur Qeverinë e Ramush Haradinajt që e vuri taksën 100 %, nuk do të sjellë asnjë të mirë për serbët e Kosovës dhe ka për qëllim vetëm largimin e vëmendjes nga arrestimi i të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, thuhet në kumtesën e PKS-së që e publikon “radiokim”.
“PKS e di mirë se Lista Serbe ka fjetur gjatë katër vjetëve të shkuara në Kuvendin e Kosovës dhe nuk shohim asnjë lëvizje për serbët tanë nëse deputetët e saj flenë edhe një natë në atë Parlament”, thuhet tutje në kumtesë.
“Kërkohet që Lista Serbe të mos fshihet prapa popullit serb dhe mos ta detyrojë popullin të dalë në protesta të inskenuara, por ta detyrojë partnerin e vet qeverisës Haradinaj në tërheqjen e vendimit për taksën 100 %”, përfundon kumtesa.