Burime të Express brenda PDK’së e AAK’së kanë treguar se Kadri Veseli e Ramush Haradinaj janë të gatshëm të japin hapësirë në Qeveri për partinë e Shpend Ahmetit. Veç kësaj, kanë thënë se janë të gatshëm ta largojnë AKR’në dhe t’ia marrin katër ministri.
Behgjet Pacolli mund të jetë njeriu më fatkeq nëse Shpend Ahmeti dhe PSD vendosin të hyjnë në Qeveri.
Kadri Veseli e Ramush Haradinaj janë të gatshëm ta largojnë Behgjet Pacollin nga Qeveria nëse PSD dhe Shpend Ahmeti vendosin të bëhen pjesë të pushtetit.
“Edhe më shumë se katër Ministri do t’i takonin PSD’së”, ka thënë një zyrtar i Qeverisë së Kosovës.
Ndërkohë, AAK, përmes Ahmet Isufit i ka bërë ofertë zyrtare PSD’së që t’i bashkohet Qeverisë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, në një përgjigje për Gazetën Express, thotë se janë të interesuar që të forcojnë bashkëpunimin, por e lë në dorë të PSD-së, nëse dëshiron të futet në Qeverinë Haradinaj apo jo.
“Në të ardhmen natyrisht jemi të interesuar që ta forcojmë bashkëpunimin, por shumë varet nga PSD-ja se si do ta shoh veten, a do të mbetet në opozitë më tutje, apo do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës, kjo do të jetë në të ardhmen, sepse nuk kemi biseda të tilla aktualisht”, ka thënë Isufi.
Sipas zyrtarit të lartë të AAK-së, ky afrim i ‘opozitarëve’ të PSD-së me pushtetin, mund të jetë rezultat i mirësjelljes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Normalisht që ata mbajnë pozicionin opozitar, mirëpo kujdesi i kryeministrit Haradinaj, sidomos edhe me partitë opozitare, ka bërë që këta të ofrohen më shumë, në aspektin e komunikimit dhe veprimit institucional, por nuk ka të bëjë me ndonjë interes të hyrjes në qeveri, së paku ata janë deklaruar kështu”, është shprehur deputeti i AAK-së.
I pyetur nëse ky ‘flirt’ i PSD-së, ka të bëjë konkretisht me një thellim të raporteve me AAK-në, që do të mund të rezultonte edhe me një bashkëpunim mes dy partive në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbaheshin ato, Isufi thotë se ende nuk kanë diskutuar për diçka të tillë, pasi të flitet për zgjedhje është shumë herët.
“Po PSD-ja është treguar që është parti opozitare konstruktive, dhe gjërat që kanë të bëjnë me interes shtetëror normalisht që i përgjigjen. Ndërsa për ndonjë bashkëpunim më të thellë nuk mund të flasim sepse ata mbajnë një qëndrim të vetin që të jenë në opozitë, po megjithatë për çështjet që kanë interes edhe si parti politike i votojnë”, ka përfunduar shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi.
Edhe analisti dhe njohësi i çështje politike, Imer Mushkolaj, thotë se PSD-ja mund të jetë partner i AAK-së në zgjedhjet e ardhshme, pasi me Vetëvendosjen dhe LDK-në vështirë që mund të gjejnë gjuhë të përbashkët.
“Ka mundësi që në zgjedhjet e ardhshme AAK e PSD të bashkëpunojnë, marrë parasysh se me VV-në bashkëpunimi është i pamundshëm e me LDK-në i vështirë”, ka thënë Mushkolaj.
Për këtë çështje, Gazeta Expres i ka dërguar pyetje edhe zëdhënëses së partisë së Shpend Ahmetit, Natyra Kuçi, por nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.
‘Flirtin’ e PSD-së së Shpend Ahmetit me pushtetin, e kishte paralajmëruar qysh në shtator shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
Ai në emisionin Pressing të T7 kishte treguar se si opozitarët e PSD-së, kishin filluar t’ia bënin kuorumin pushtetit, duke qëndruar në Kuvend, dhe duke mos u bashkuar në opozitarizmin e Vetëvendosjes dhe LDK-së.
Ndërkohë pas disa ditësh, bashkëpunimi vetëm kishte filluar të thellohej. Nga kundërshtues të dialogut me Serbinë, PSD-ja pranoi që të votonte ekipin negociator për bisedimet në Bruksel, pasi bashkudhëheqës i Limajt në këtë ekip do të jetë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, thoshte që ky ekip i dialogut do t’i shërbente Hashim Thaçit për të forcuar pozitën e tij. Në një intervistë në RTV 21, Kurti thoshte që më mirë do të ishte të mos ishte asnjë kryenegociator, se dy, pasi sipas tij një gjë e tillë do t’i ndihmonte dhe do ta legjitimonte presidentin.
Ky konstatim i Kurtit, më pas u konfirmua edhe në letrën që Mogherini e dërgoi në adresë të Qeverisë, në të cilën thuhej se ky ekip i unitetit është një mbështetje e fortë për Hashim Thaçin në këto bisedime.
“Me ekip uniteti, me mbështetje të gjerë nga partitë qeveritare dhe opozitare dhe me propozimin tuaj për punën e ekipit të unitetit që po e përkrah presidentin Thaçi, tash është koha që t’i kthehemi dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Tash është jetike që të përqendroheni në përpjekjet e presidentit në dialog”, thuhej në letrën e Mogherinit.
Por PSD-ja nuk u ndal. Publikisht me 21 dhjetor 2018, deputetët e kësaj partie i ndihmuan qeverisë së Haradinajt e cila ka mungesa të numrave në Kuvend, që të votojë në leximin e parë buxhetin për vitin 2019.
E për këtë Imer Mushkolaj thotë se PSD-ja e bënë për interesa të veta.
“Secila parti politike kalkulon për interesa të veta. Në këtë aspekt nuk ndryshon as PSD. PSD mund të ‘flirtojë’ me AAK-në, kjo është normale, përderisa nuk ndërmerr ndonjë veprim që dëmton vendin”, është shprehur Mushkolaj për Gazetën Express.
Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit u krijua pas ndarjes së një grupi deputetësh nga Lëvizja Vetëvendosje. Ata që iu bashkuan këtij fraksioni, ishin ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri, ish-sekretari i përgjithshëm i VV-së, Dardan Molliqaj, njeriu që Vetëvendosje e bëri kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, e të tjerë./E/