Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se është duke përcjell me vëmendje largimin e trupave ushtarake amerikane nga Siria.
“Kosova si pjesë e Koalicionit Global kundër ISIS qëndron e paluhatur në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm! Jemi duke e përcjellur me vëmendje operacionin e largimit të trupave ushtarake amerikane nga Siria, pas mundjes së kalifatit territorial ndaj ISIS-it. Në partneritet të plotë me ShBA dhe aleatët e koalicionit global, kundër ISIS, Kosova qëndron e paluhatur në misionin e mundjes së qëndrueshme dhe çrrënjosjes së ISIS dhe elementeve tjera të ekstremizimit të dhunshëm, globalisht”, shkruan Haradinaj, përcjell KosovaPress.
Ai ka thënë se duke marrë parasysh se fitorja në Siri nuk sinjalizon fundin e Koalicionit Global kundër ISIS, Kosova si pjesë e këtij Koalicioni në këtë luftë, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendosmëri do të vazhdojë t’i jetësojë përgjegjësitë dhe rolin e saj ndaj sigurisë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.
Kujtojmë se para pak ditësh presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.