Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka paraparë për të enjten grevë në orën e parë të mësimit.
Greva, sipas tyre, do të mbahet rreth mosrealizimit të kërkesave të Sindikatëspër ngritjen e koeficientit të mësimdhënësve në Projektligjin për Paga.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se ka pasë një marrëveshje me SBASHK-un për krijimin e një grupi punues lidhur me ndryshimet që duhet të ndodhin në Projektligjin për Pagat.
“Sot e kemi marrë informaconin e parë prej mediave qe SBASHK-u po përgatitet për grevë njëorëshe nesër”.
“Realisht ne kemi lënë disa çështje të hapura me SBASHK-un. Vazhdimisht kemi qenë bashkë prej kur kemi shprehur pakënaqësi për Ligjin për Pagat”.
“Konsideroj se kemi pasë një marrëveshje që të shkojmë bashkë si grup punues, të kemi një komision të përbashkët, Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u”, ka thënë ai në Klan Kosova.
“Unë kam kërkuar që në këtë komision të jetë një përfaqësues i kryeministrit Ramush Haradinaj pasi në takimin e fundit që kishim me kryeministrin, së bashku me kryetarin e SBASHK-ut, dhe Ministrin e Financave ishim dakorduar që duhet të shqyrtojmë dhe të shohim mundësitë se çfarë mund të lëvizim në ndryshimin në Projektligjin për Pagat”.
“Në takimin e fundit, unë kisha kërkuar një Komision të përbashkët që kishte dalë nga zotimi i përbashkët me kryeministrin, me Komisionet Parlamentare”.
Bytyqi ka thënë se në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtohet procesi mësimor dhe nxënësit.
“Ne kemi hapësirë dhe mundësi të punojmë bashkë në mënyrë institucionale por jo që ta dëmtojmë procesin mësimor, nxënësit nuk janë fajtor në këtë mes dhe konsideroj se është një dëm që u shkaktohet nxënësve”.
“Të gjithë mund të jemi fajtorë dhe aspak nxënësit, kjo duhet të jetë një ide e të gjithë neve që së paku të mos i dëmtojmë nxënësit dhe procesin mësimor. Përtej asaj që të drejtojmë gishin ndaj fajtorit, duhet të shohim rrugëzgjidhje të dalim nga ky problem”.
Sipas tij, vendimi për rritjen e pagave në sektorin e arsimit ka një ndikim shumë të madh buxhetor.
Ai megjithatë është pajtuar se koeficienti të cilin e kanë mësimdhënësit në Projektligjin për Pagat nuk është i denjë për ta.
“Duhet të kuptojmë se nuk është aq e thjeshtë të merret një vendim sepse ka një ndikim të madh buxhetor”.
“Ne si Ministri, unë si Ministër, në Projektligjin për Pagat që për mësimdhënësit që do të kenë rritje në karrierë do të kenë të ardhura më të larta dhe kjo është një hap pozitiv”.
“Kemi mundësi të diskutojmë me Komisionet Parlamentarë të shohim se sa mund të bëjmë lëvizje në ndryshimin e koeficientit, që mendoj se është i arsyeshëm sepse mësimdhënësit nuke meritojnë këtë koeficient që e kanë aktualisht në këtë projektlgij por duhet të shohim sa ka mundësi ta përballojë buxheti i Kosovës”.
“Kërkesa e SBASHK-ut është në përputhje të plotë me kërkesën tonë. Edhe ne kur e kemi dërguar kërkesën zyrtarisht në Ministrinë e Administratës e kemi dërguar pothuajse me të njëjta koeficentë, me shumë pak ndryshime”.
“Kemi marrë përgjigje që është e pamundur brenda buxhetit të Kosovës”.