Janë së paku 14 deputetë të Kuvendit të Kosovës që krahas politikës janë pronarë ose edhe bashkëpronarë në biznese të ndryshme private, që operojnë brenda dhe jashtë vendit tonë.
Duke u bazuar në të dhënat që ata i kanë deklaruar vetë në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) shihet se aksionet e tyre nëpër kompani nisin nga 200 euro e deri në 45 milionë euro
Është deputet, por krahas kësaj ai edhe më tutje vazhdon të jetë pronar, bashkëpronar ose edhe aksionar në hiç më pak se 9 kompani të ndryshme, që operojnë brenda dhe jashtë vendit. Ky është Gani Dreshaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Dreshaj në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) ka vetëdeklaruar se 100% në pronësi të bashkëshortes së tij është kompania “Hanseatic Dreshaj GmbH+Co”, objekti “TD Hamburg KG” e ku vlera e aksioneve është 12.5 milionë euro.
Po ashtu kompania tjetër, e cila po ashtu është në pronësi të gruas së tij, “Hanseatic Dreshaj GmbH+Co”. Objekti “Diner Hamburg KG” ka një vlerë prej 3.5 milionë eurosh.
Po ashtu Dreshaj ka vetëdeklaruar se edhe kompania tjetër “Hanseatic Dreshaj Verwaltung GmbH”, me vlerë të aksioneve prej 25 mijë eurosh, është 100% në pronësi të bashkëshortes së tij. Po kaq ka vlerë edhe kompania tjetër “TD Lizenzvermarktungs-und Verwaltung GmbH”, shkruan Gazeta “Zëri”.