Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, duke komentuar deklaratat e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se kushedi se çfarë zbulime e parashikime do të dalin tash e tutje nga grupi i falltorëve të dobët.
Molliqaj, përmes një postimi në Facebook, duke përmendur disa nga arsyet që VV- dha për largimin e tyre, ka shkruar se “ajo që dihet është që kësaj partie iu ka ndalur ora qysh kur ne jemi larguar nga aty”.
“Kushedi se çfarë zbulime e parashikime do të dalin tash e tutje nga grupi i falltorëve të dobët. Por, ajo që dihet është që kësaj partie iu ka ndalur ora qysh kur ne jemi larguar nga aty. Vazhdimisht thonë se jemi pak aktivistë, të vegjël e të parëndësishëm, por vihen shumë në siklet nëse kalon vetëm një ditë pa shpifur për neve”, ka shkruar Molliqaj.
Postimi i plotë i Molliqajt:
‘Fillimisht, grupi i falltorëve të dobët thanë se ne u larguam sepse ishim spiun të Stanishiqit.
Pastaj thanë se ne u larguam sepse na kishin blerë Devollët.
Më vonë thanë se arsyeja e largimit tonë ishte ndikimi i ambasadeve ndërkombëtare.
Dikur thanë se ne u larguam për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi.
Pastaj “zbuluan” se ne u larguam për shkak se ishim të interesuar për tu futur në Qeveri.
Pak më vonë thanë se në fakt arsyeja e largimit tonë qenka falja e tokave Serbisë.
E sot e paskan “zbuluar” se kemi dalur për të përfunduar në prehër të PDK-së.
Kushedi se çfarë zbulime e parashikime do të dalin tash e tutje nga grupi i falltorëve të dobët. Por, ajo që dihet është që kësaj partie iu ka ndalur ora qysh kur ne jemi larguar nga aty. Vazhdimisht thonë se jemi pak aktivistë, të vegjël e të parëndësishëm, por vihen shumë në siklet nëse kalon vetëm një ditë pa shpifur për neve.
E ne fatkeqësisht do t’i zhgënjejmë. Përveq se nuk do të futemi në këtë Qeveri, do të angazhohemi vazhdimisht që PDK-në ta largojmë nga pushteti pas kaq shumë vitesh keqqeverisje. Ju vazhdoni të qitni fall, se pavarësisht që parashikimet i keni të dobëta, ndoshta me kalimin e kohës përmirësoheni në këtë fushë :)”, ka shkruar Molliqaj.
Reagimi i Molliqajt vjen si pergjigje ndaj deklaratave të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në mbledhjen e 35-të të Këshillit të Përgjitshëm të VV-së, ka folur për mesazhet e publikuara në media të deputetëve të PSD-së me pjesëtarë të koalicionit qeverisës.
Kurti tha se kushdo që po del prej VV-së po përfundon në prehër të PDK-së. Ai tha se 12 deputetët e PSD-së u blenë nga presidenti Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. /Telegrafi/