Jo rrallë herë bashkatdhetarët tanë detyrohen të presin me orë të tëra në pikat kufitare e veçanërisht në atë të Merdarës.
Kolonat në kufirin e vendit me Serbinë nisin të shtohen pak para festave të fundvitit, por edhe gjatë pushimeve të verës.
KALLXO.com ka vizituar pikën kufitare në Merdarë, ku qytetarët u shprehen se për dallim nga herët e kaluara, këtë të premte nuk iu desh të presin gjatë.
Një mërgimtar nga Sllovenia tha për KALLXO.com se kontrollimi në këtë pikë kufitare është bërë shumë shpejtë.
“Deri këtu kemi kaluar shumë mirë, pa kurrfarë problemi hiç”, tha ai.
“Shumë ka pas, veç nëse kanë shku në tjera pikat, përndryshe, shumë shpejtë kanë punu, s`ka pas problem”, shtoi mërgimtari.
Një bashkatdhetar nga Zvicra tha se, për kalimin e tij nga pika kufitare e Merdarës për në Kosovë, gjatë ditës së sotme ka pasur pak kolonë.
“Mirë kemi ardhur deri këtu, ka pas pak kolonë,por jo aq shumë. Nuk e di nesër çka bëhet por sot mirë ka qenë’, tha Jetullahu.
Sipas mërgimtarit Safet Uka, ata kanë pritur vetëm në kufirin e Hungarisë.