Sot në QKUK një vajzë 13 vjeçare nga Elbasani, që jeton në Gjakovë, është bërë për herë të parë nënë.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci për lajmi.net e ka konfirmuar rastin duke thënë se lindja është bërë në mënyrë normale pavarësisht që ishte lindje e parakohshme.
Gojnovci gjithashtu ka konfirmuar se nëna është 13 vjeçare, e lindur në vitin 2005 në Elbasan, por që tani jeton në Gjakovë.
Rastet e shtatzënisë nën moshën 18 vjeçare, nuk janë dukuri e rrallë tashmë as për vendin tonë, por çfarë thotë ligji për rastet e tilla?
Për ta pyetur në lidhje me këtë lajmi.net ka kontaktuar avokatin, Besnik Berisha, i cili është shprehur i tronditur në lidhje me rastin.
“Si qytetar dhe si prind jam i tronditur me lajmin që lexova. Është tmerruese që edhe më tutje kemi raste të tilla, përkundër mundësive të mëdha për t’i parandaluar duke investuar në shkollimin dhe edukimin seksual të të rinjve që në shkollën fillore”, tha Berisha për lajmi.net
I pyetur për përgjegjësinë ligjore, Berisha është shprehur se marrëdhënia seksuale me fëmijë të moshës së tillë është absolutisht e dënueshme pavarësisht moshës së personit mashkull.
“Marrëdhënia seksuale me fëmijë të moshës së tillë është absolutisht e dënueshme pavarësisht moshës së personit mashkull”, tha Berisha.
Ai gjithashtu për lajmi.net shtoi se: “Prindi i fëmijës nëse identifikohet mund t’i shpëtoj përgjegjësisë penale vetëm nëse është nën moshën 14 vjeç, në të kundërt ai do duhej të përgjigjet penalisht dhe të dënohet sipas ligjit”.
I pyetur nëse prindërit e të dy palëve mund të ngarkohen me përgjegjësi ligjore, Berisha tha se kjo mund të ndodh vetëm në raste specifike.
“Çështja e përgjegjësisë ligjore për prindërit mund të pasojë vetëm në rast se ata kanë nxitur ose kanë parandaluar veprimin e tillë, në të kundërt për këtë vepër nuk mund të mbahen përgjegjës prindërit”, tha Berisha për lajmi.net.
Vlen të theksohet se sipas raportimeve në medie, është identifikuar se 13 vjeçarja i përket komunitetit rom. /Lajmi.net/