Një aksident i rëndë me fatalitet përfundoi mbrëmë në fshatin Çallapek të Lipjanit që ndodhet në magjistralen Prishtinë-Ferizaj. Si pasojë humbi jetën një person dhe 18 të tjerë pësuan lëndime.
Në aksident ishte përfshirë autobusi ‘Dita’ me një veturë me targa të Gjermanisë.
Periskopi mbrëmë ka raportuar se bëhet fjalë për një mërgimtar që kishte ardhur nga Gjermania për të kaluar me familje festat e fundvitit.
Siç mëson Periskopi, viktima është 37- vjeçari Burim Mehmeti nga fshati Gadime i komunës së Lipjanit.
Rastin për Periskopin e kishte konfirmuar mbrëmë edhe zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
Ndërsa Policia sot doli me detaje shtesë rreth rastit.
“Si pasojë e aksidentit dhe lëndimeve të rënda trupore vozitësi i automjetit viktima mashkull, ka ndërruar jetë. Gjithashtu lëndime të lehta trupore kanë pësuar vozitësi i autobusit dhe shtatëmbëdhjetë persona tjerë, tetë meshkuj dhe nëntë femëra, të cilët kanë marrë tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Rastit iu kanë përgjigjur njësitet relevante policore.
Me urdhrin e prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës dërgohet për obduksion në IML, ndërsa, vozitësi i dyshuar është dërguar në qendrën e mbajtjes./Periskopi/
Po ashtu, Periskopi ka siguruar edhe fotografi nga vendi i ngjarjes.