Gjykata Kushtetuese ka vendosur në disfavor të kërkesës së Albin Kurtit dhe 12 deputetëve të tjerë të Vetëvendosjes, që kërkonin shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti. Kjo e fitoi mandatin e deputetes dhe postin e nënkryetares duke qenë pjesë e Vetëvendosjes, e më pas kaloi në Partinë Socialdemokrate. Për VV-në, kjo nënkuptonte që ajo duhet lënë postin e nënkryetares së Kuvendit për një deputet që ka mbetur në Vetëvendosje.
Kur nuk arriti ta bëjë këtë as me deklarime e as me votim në Kuvendin e Kosovës, iu drejtua Kushtetueses.
Por në vendimin 25 faqësh të Kushtetueses, nëntëshja e gjyqtarëve – Arta Rama Hajrizi, kryetare, Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar dhe gjyqtarët Bekim Sejdiu, Selvete Gërxhaliu Krasniqi, Gresa Caka Nimani, Safet Hoxha, Radomir Laban, Remzije Istrefi Peci dhe Nexhmi Rexhepi – kanë vendosur në favor të Dërgutit.
Duke e shpjeguar gjithë ecurinë, në përfundim ata kanë shkruar se “Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesve të kërkesës se pozita e nënkryetares të Kuvendit sipas nenit 67, paragrafi 3, të Kushtetutës, është e rezervuar ekskluzivisht për 3 (tri) grupet më të mëdha parlamentare të cilat dalin nga votat e partive politike apo të koalicioneve, që kanë fituar ulëse në Kuvend si rezultat i zgjedhjeve për Kuvend, nuk është i bazuar”. Kjo është pika 125 e vendimit.
E në atë pasuese, 126, thuhet se “Gjykata, po ashtu, konstaton se pretendimi i parashtruesve të kërkesës se refuzimi i shkarkimit të nënkryetares në fjale, e cila nuk e përfaqëson më fuqinë politike dhe votën demokratike siç; e parasheh Kushtetuta ‘është abuzim me të drejtën e votimit dhe cenon qëllimin kushtetues që qëndron prapa dispozitave që e rregullojnë përbërjen e Kryesisë së Kuvendit’, nuk është i Bazuar”.
Vetëvendosje përmes deputetëve Albin Kurti, Glauk Konjufca, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Liburn Aliu, Drita Millaku, Xhelal Sveçla, Arber Rexhaj, Fitore Pacolli, Rexhep Selimi, Arberie Nagavci, Shemsi Syla dhe Sami Kurteshi, kontestonin kushtetutshmërinë e Vendimit nr. 06/V145 të Kuvendit të Republikës së Kosovës përkitazi me Propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, miratuar nga Kuvendi me 4 qershor 2018.
Vetëvendosje kishte pretenduar se ky vendim nuk është në pajtueshmëri me nenet 7 [VIerat], dhe 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja, tregon se me shumicë votash ka konstatuar në kundërshtim me pretendimin e VV-së, saktësisht ka vendosur se “vendimi nr. 06jV-145 i Kuvendit të Republikës së Kosovës përkitazi me Propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e Aida Dërgutit nga pozita e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, është në pajtueshmëri me nenet 7 [Vlerat] dhe 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës.
Më tutje, parashtruesit e kërkesës kërkonin nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme, përmes së cilës donin “pezullimin e ushtrimit të funksionit të nënkryetares së Kuvendit të Kosovës [Aida Dërguti]”.
Gjykata Kushtetuese, në këtë pikë, unanimisht ka vendosur ta refuzojë këtë kërkesë.