“Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve”. Kështu e fillon leximin e tij Albert Bardhi nga Drenasi, derisa rrëfen për të arriturat dhe vështirësitë e tij dhe të tjerëve që janë të verbër në Kosovë.
Ndonëse në mungesë, tanimë ka një zgjidhje edhe për të verbrit në Kosovë, për të lexuar librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin.
Një Kuran i tillë, siç shkruan REL, Kurani i shkruar në alfabetin Braj i ka ndihmuar Albertit që të kuptojë fjalët e Allahut.
Ai, siç thuhet tutje, ka tri vjet që ai ka filluar të falet dhe të lexojë Kuran.
“I kam lexuar 28 apo 29 sure, nuk jam i sigurt. Përafërsisht i kam lexuar tri kopje të plota.
Normal që për mua është një sukses, nëse mund të them edhe elhamdulilah prej Allahut që më ka udhëzuar në rrugën e tij dhe besoj që nuk zhgënjehet, pavarësisht prej mundësive që kam”, rrëfen Alberti.
Megjithatë, ai thotë se ka mungesë të literaturës për personat e verbër, jo vetëm për fenë.
Alberti thotë se në qytezën e Drenasit ku ai jeton, personat si ai e kanë të vështirë, sidomos në trotuare.
Siç shkruan tutje REL, Kurani në alfabetin Braj për herë të parë në Kosovë u botua në vitin 2007, ku fillimisht u printuan vetëm dhjetë kopje.
Ndryshe, në Kosovë janë rreth 4 mijë persona të verbër.