Policia e Kosovës bën të ditur përmes një komunikate për media se sot ka kthyer mbrapsht një autobus nga Serbia të Unionit të Grave të Beogradit që synon të hynin në Republikën e Kosovës për të protestuar.
“Policia e Kosovës, në pikë kalimin kufitar Jarinje, sot rreth orës 13:05, ia ka refuzuar hyrjen një autobusi të firmës “Kolasin Prevoz” me targa BG, i cili kishte ardhur si linje e lirë (jo e rregullt) nga Serbia në drejtim të Republikës së Kosovës”, thotë PK, transmeton Koha.net.
Më tutje Policia shton se në autobusin i cili kishte ardhur pa pasur linjën e regjistruar të qarkullimit, iu është refuzuar hyrja (28) njëzet e tetë personave, kryesisht të gjinisë femërore të cilat janë prezantuar si “Unioni i grave në Beograd”, të cilën e përfaqësonin gra me profesione të ndryshme.
“Sipas informacioneve të siguruara dhe deklarimit të tyre, njëri nga qëllimet kryesore të kësaj vizite, e këtyre personave ka qenë mbajtja e një proteste në Mitrovicë Veri, andaj bazuar në procedurat e parapara ligjore, në pajtim me ligjin për kontroll dhe mbikëqyrje të kufirit, të njëjtëve iu është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës, për arsye se kanë paraqitur kërcënim për rendin dhe sigurinë e vendit”, thuhet në komunikatë.
Pas sqarimeve dhe informacioneve zyrtare që iu janë dhënë drejtuesit të autobusit dhe përfaqësuesve të këtij unioni, të njëjtit janë kthyer në drejtim të Serbisë.