Në Express Intervistën e ditës në KTV, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, foli për të drejtat e njeriut gjatë vitit që po lëmë pas.
Jashari tha se gjatë këtij viti ka pasur më shumë punë për sa i përket të drejtave të njeriut pasi ka pasur më shumë kërkesa në drejtim të institucionit që ai drejton.
“Kemi pasur ngritje të numrit të rekomandimeve që nga viti 2015. Sikur të mos zbatohen rekomandimet që dalin nga IAP, atëherë edhe funksionimi i këtij institucioni do të ishte i panevojshëm”, deklaroi Jashari.
Ai thotë se është spikatur disa herë çështja e mos-zbatimit të rekomandimeve që dalin nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
“Shpresojmë që vitin e ardhshëm të mund të ngremë përqindjen e zbatimit të rekomandimeve tona në mbi 10 për qind”, shtoi ai.
Duke folur për ndalimin e pagesës së energjisë elektrike për qytetarë në veri, Jashari tha se hetimi ka ndodhur pas raportimeve në media.
Thotë të mos ketë qenë i vështirë lëshimi i rekomandimit për këtë çështje pasi shkeljet ishin evidente.
“Edhe pse është ndaluar pagesa direkt nga qytetarët, prapë se prapë qytetarët e paguajnë indirekt, përmes buxhetit të shtetit”, tha ai.
Ai shtoi se kompensimi duhet të ndodhë dhe mjetet duhet t’iu kthehet qytetarëve, por kjo është ende në proces gjyqësor.
Kreu i Avokatit të Popullit thotë po ashtu se duhet të hartohet një ligj procedural i cili thotë se qytetarët duhet të kompensohen nëse ka shkelje të ligjit nga ana e shtetit ndaj tyre, siç ndodh kur qytetarët shkelin ligjin dhe dënohen nga shteti.
Duke folur për punëtorët, Jashari tha se ky vit që po lëmë pas s’ka qenë i mirë për sa i përket të drejtave të tyre.
“Me masa ad-hock nuk mund të ndryshohet situata në sektorin privat për sa i përket të drejtave të punëtorit. Duhet të ketë balancë në mbikëqyrjen e kësaj fushe si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik”, shtoi ai.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, foli edhe për barazinë gjinore ku tha se Ligji për barazinë gjinore është neglizhuar në masë të madhe në zgjedhjet e vitit 2017 në hartimin e listave zgjedhore.
“Shumë pak institucione ka që e kanë zbatuar Ligjin për barazi gjinore”, theksoi ai.
Të drejtat e fëmijëve, duke nisur nga qasja e tyre në shkollë, pastaj lëmoshë-kërkuesit, e të drejta tjera që u cenohen, Jashari tha se fëmijët tash janë më të vetëdijshëm për të drejtat e tyre.
“Përkujdesja ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta… nëpër shkolla kanë kushte jashtëzakonisht të rënda. Por, po besoj se ne si shoqëri kemi probleme me sistemin”, tha ai.