Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka sqaruar çështjen e draft Draft Koncept Dokumentit për Lojërat e Fatit, i propozuar nga Ministria e Financave e i aprovuar në Qeveri.
Ai ka deklaruar se ky dokument është përpiluar duke u bazuar në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale, Pastrimit të Parave, Financimit të Terrorizmit dhe Krimeve Financiare, transmeton Gazeta inFokus.
“Qëllim parësor i këtij koncept dokumenti është të rregullohet fusha e Lojërave të Fatit, pasi që është vlerësuar se vetëm me këtë qasje e ulim informalitetetin për 50% dhe rrisim të hyrat tatimore poashtu për 50%. Fusha e Lojërave të Fatit në disa raste ka rënë në kundërshtim me Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale, Pastrimit të Parave, Financimit të Terrorizmit dhe Krimeve Financiare, duke i dhënë kështu hapësirë ekonomisë joformale”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Haradinaj shton, se viti 2019- të, do të jetë vit i zhvillimit ekonomik, ku si fokus të parë do ta ketë luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar.
“Koncept dokumenti ka për qëllim kontrollin e drejtpërdrejtë të kësaj fushe duke rritur efikasitetin e inspektimeve dhe dënimeve. Koncept dokumenti propozon disa opsione të qasjes dhe këto do të analizohen nga ekspertë financiar dhe të krimeve ekonomike, për të zgjedhur opsionin më të favorshëm për Kosovën. Deklarimet se kjo politikë e Qeverisë është për zgjerimin e kësaj fushe, janë të paqëndrueshme, tendencioze dhe nuk do të tolerohen.
Agjendat e grupeve të interesit joformal nuk do ta ndalin luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave”, përfundon ai.

