Shkolla “Mihail Grameno” në Fushë Kosovë ka 2 mijë e 723 nxënës, ndërsa një mijë prej tyre janë bartur në objektin e ri. Përkundër numrit të konsiderueshëm të nxënësve, kësaj shkolle i mungojnë psikologët.
Ndonëse 80 shkolla në Kosovë posedojnë psikologun e tyre, pjesa tjetër e tyre mbetet e përjashtuar nga kjo gjë.
Në rastet kur në kuadër të stafit të shkollave mungon psikologu, vështirësohet procesi mësimor për mësimdhënësit si dhe për nxënësit, raporton kosovapress.
Drejtori i kësaj shkolle, Ismet Gashi, tregon se në mënyrë që t’u ofrohet ndihmë nxënësve që kanë nevojë, disa herë është përpjekur që të sigurojë psikologun e shkollës, por kjo nuk është realizuar.
“Kjo shkollë moti ka pasur nevojë që të ketë psikolog sepse kemi një numër bukur të madh të nxënësve që kanë nevojë të trajtohen përmes psikologut. 43 nxënës në klasë, dhe 1-2 nxënës me nevoja të veçanta, po e vështirësojnë shumë punën në procesin pedagogjik të mësimdhënies. Tash e 7-8 vite gati, ka që bëjë kërkesën që në gusht të bëhet pranimi i një psikologu, sepse ka nevojë kjo shkollë për një psikolog. Mirëpo, mungesa e buxhetit dhe nuk është përzgjedh ende prezenca e psikologut”, u shpreh ai.
Gashi thotë se kanë paraqitur kërkesa për të pasur edhe asistentë në klasa, por në mungesë të buxhetit thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, përveç kur prindërit me të ardhura vetanake kanë ndërmarrë këtë veprim.
Edhe Ymret Reshiti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës thekson rëndësinë e psikologut në shkollë.
Rrethanat në të cilat gjendet sot arsimi dhe problemet me të cilat ballafaqohet arsimi, sipas tij, e kanë ngritur çështjen e rëndësisë që shkollat apo drejtoritë komunale të arsimit duhet të punësojnë edhe staf të psikologëve.
“Ne jemi të interesuar edhe si Këshill i Prindërve dhe këtë adresim e kemi bërë nëpër institucionet kompetente, që duhet të fillohet të praktikohen pedagogët apo psikologët nëpër shkolla. Përgjigjet e drejtorive komunale që na janë dhënë kanë qenë ato që ata janë të hendikepuar në shtimin e stafit të asaj komune. Megjithatë, ne kemi propozuar që duhet në nivel të administratës komunale të punësohen psikologë apo pedagogë, të cilët do të jenë përgjegjës për të gjitha shkollat e asaj komune. Për shembull nëse për një komuna të vogël si Mamusha mjafton një pedagog apo një psikolog, atëherë për komunat e mesme si fillim do të kishin mjaftuar 4 pedagogë dhe psikologë dhe pedagogë. Ne mendojmë që çdo shkollë duhet ta ketë”, tha ai.
Ndërsa udhëheqësja e Divizionit për Arsimin Gjithëpërfshirës në MASHT, Lulavere Behluli, ka thënë për KosovaPress se e kanë të rregulluar mjaft mirë punësimin e psikologëve në shkolla.
“Ministria e Arsimit ndan buxhet edhe për punësimin e pedagogëve, po edhe psikologëve. Por mbetet në kompetencë të komunave që t’i punësojnë kuadrot që kanë nevojë. Jo rrallëherë, Ministria edhe pse ka ndarë buxhet për këto kategori, komunat i kanë zëvendësuar këto vende pune me staf tjetër, për të cilin ata kanë pasur nevojë. Sa i përket psikologëve në shkolla, ne jemi të vetëdijshëm se ka nevojë shkolla për psikologë. Konsiderojmë se në këtë drejtim, komunat duhet të menaxhojnë më mirë vendet e punës, në kuptimin që t’i analizojnë se për çfarë kuadro kanë më shumë nevojë pasi që shkollat, nxënësit kanë nevojë të kenë psikolog, sepse këto shërbime mungojnë në kuadër të shkollave”, tha ajo.
Njëherësh, ajo ka bërë të ditur për KosovaPress, numrin e shkollave që posedojnë psikologë, derisa ka thënë se në zonat rurale ka mungesë të tyre.
“Në bazë të statistikave që kemi, në komunat më të mëdha ka më shumë psikologë. Do të thotë, këto komunat që kanë numër më të madh të banorëve. Prishtina prinë me numrin më të madh të psikologëve dhe pedagogëve që kanë në shkolla, ndërkohë që vendet rurale sigurisht që kanë më pak, ose nuk kanë fare hiç. Janë gjithsej 80 dhe ata janë të shpërndarë nëpër shkolla të ndryshme në nivel vendi”, u shpreh ajo.
Përgjithësisht ekziston pajtueshmëria se prania e psikologëve në shkolla ndikon në përmirësimin e procesit mësimor, si dhe është tejet dobiprurëse si për nxënësit, ashtu edhe për mësimdhënësit.