Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka dhe dy të akuzuarit e tjerë, Ilir Krasniqi e Edmond Kerliu, në seancën e sotme e kanë kundërshtuar aktakuzën që i ngarkon ata me veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrim parash.
Mbrojtësit e të akuzuarve, kanë deklaruar se e kanë dorëzuar në gjykatë kërkesën për hudhje të aktakuzës, por prokurori i rastit, Atdhe Dema, ka thënë se ai ka pranuar vetëm kërkesën e të akuzuarit Ilir Krasniqi jo edhe dy të tjerëve.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mustafë Tahiri, ka thënë se kërkesën e të akuzuarit Milaim Zeka, ia ka dorëzuar PSRK-së, përmes Postës, një kopje të saj ia ka ofruar prokurorit Dema, edhe gjatë seancës.
Mbrojtësi i tre të akuzuarëve kanë deklaruar se mbesin pranë kundërshtimeve dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës në këtë rast, shkruan Betimi për Drejtësi.
Ndërsa prokurori i rastit, Atdhe Dema, ka deklaruar se meqenëse vetëm gjatë kësaj seance ka pranuar kundërshtimet për dy të akuzuarit në këtë rast, ai ka thënë se nuk mund të jep përgjigje lidhur me këtë, duke kërkuar kohë për një gjë të tillë.
Pasi kësaj, gjykatësi Mustafë Tahiri, ka aprovuar propozimin e prokurorit Dema dhe atij i ka dhënë afat një javë për të dhënë përgjigje në kundërshtimet e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 28 gusht 2018, me pretendimin se të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu kanë kryer disa vepra penale.