Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic, duket i shqetësuar me gjendjen e krijuar në Veri të Kosovës, dhe brengoset për reaksionin e serbëve lokal, që lidhen me hidhërimet e taksës 100% kundër prodhimeve serbe. Këtë herë Kryenegociatori serb, kishte zgjedhur transmetuesin Publik të Serbisë, RTS, që të reagojë.
“KFOR’i amerikan na e ka bllokuar vijën e gjelbërt edhe kah Kopaoniku, edhe midis Zubin Potokut dhe Leposavicit. Ata kanë vënë kamera nëpër pyje gjithëandej, që pastaj ta zënë ndonjë serb, dhe ta dënojnë, apo arrestojnë”, ka thënë Vucic, transmeton gazetametro.net
Ai ka shtuar se koha e luftrave ka kaluar dhe Serbia nuk do të mund t’i kthejë gjithë territoret e humbura, por duhet të koncentrohemi në ekonomi, në gjuhë dhe ndikim kulturor. Shqiptarët sot, kanë shumë mbështetje nga vendet perëndimore, dhe nje luftë me ta, nuk do të thoshte vetëm përballje me ta, por me KFOR’in dhe shumë vende të forta.
“Për shqiptarët, Amerika është edhe nëna edhe baba. Ndërsa, vendet tjera perëndimore i kanë teze dhe gra të axhës. Për mua dihet se ku e kam tezën”, ka thënë Vucic, me ironi duke aluduar për Kancelaren Angela Merkel, për të cilën mediat në Serbi në raste thumbimi i referohen si “Tezja e Vucicit”.
Gjithashtu, ai më pas ka theksuar më seriozisht se aleatët e Serbisë ende mbesin Rusia dhe Kina. Përderisa, për shqiptarët, janë Amerika, Franca, Britania dhe shumë vende perëndimore, të cilave ju referua në intervistë me një dozë humori si teze. /gazetametro.net