Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur një konferencë për media pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Veseli tha se Serbia duhet ta kuptojë se politika e saj e urrejtjes po e rrezikon stabilitetin rajonal, raporton lajmi.net.
Sipas tij, kjo politikë nuk i kontribuon bashkëjeteses mes serbëve dhe shqiptarëve.
“Republika e Serbisë, lidershipi i saj, duhet ta kuptojë se politika e urrejtjes, bllokimit dhe provokimit ndaj Kosovës është duke rrezikuar stabilitetin rajonal. Është kundër frymës së dialogut të proklamuar. Kjo politikë nuk i ndihmon bashkëjetesës mes shqiptarëve, serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë. Ka ardhur koha që të ndalen provokime të tilla”, tha Veseli.
“Ju bëj thirrje të gjitha komuniteteve që të kenë besim në institucionet e Kosovës dhe mos të bien pre e provokimeve të ndryshme”, shtoi ai.
Veseli po ashtu tha se Kosova është e interesuar që problemet me Serbinë t’i zgjidhë me dialog, dhe të garantojë stabilitet në të gjithë territorin e saj.
“Kosova është e angazhuar që problemet me Serbinë t’i zgjidhë me dialog. Republika e Kosovës është e angazhuar që të garantojë stabilitet në të gjithë territorin e saj. Institucionet e Kosovës do të funksionojnë në tërësinë e vet në përputhje me kushtetutë”, përfundoi Veseli. /Lajmi.net/