Senatorja amerikane, Joni Ernst, pas takimit me presidentin Thaçi ka thënë se është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje. Ernst, si një veterane e SHBA-së, ka thënë se mbështetë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Ne duam paqe, ne duam stabilitet midis qeverive. Presidenti Thaçi po punon shumë për këtë. Andaj, natyrisht, e mbështes atë nismë. Iowa dhe Kosova kanë marrëdhënie të forta dhe të ngushta dhe ne duam të shohim paqe dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e tyre.
Sigurisht se e mbështes edhe themelimin e një force të ushtrisë në Kosovë dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua si veterane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E kuptoj sesi një shtet duhet të ketë ushtrinë e vet. E kam mbështetur fuqishëm përpjekjen e Kosovës në këtë drejtim. Pra, kjo ishte njëra nga temat e diskutimit. Dhe natyrisht se çështja tjetër ishte puna drejt arritjes së marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne, natyrisht se duam që marrëveshja të jetësohet, duam t’u dalim në ndihmë dy shteteve. Edhe një herë, duam të shohim paqe dhe mirëqenie për qytetarët e Kosovës”, ka thënë senatorja Joni Ernst.