Milan Ivanoviq, i cili prej disa vitesh punon si drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicën e Veriut, befasoi me pjesëmarrjen e tij në protestën e organizuar sot në qytetin e Mitrovicës së Veriut. Ivanoviq është i njohur për aktivizmin e tij politik në të kaluarën.
Madje Ivanoviq njihet si simpatizant i ish-presidentit radikal serb, Slobodan Millosheviq, i dënuar për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, raporton Insajderi.
Shfaqja e Milan Ivanoviqit në protestën e serbëve në veri të Kosovës shënon rikthimin e radikalistit serb, që ishte aktivist politik në Kosovë edhe në kohën e regjimit të Millosheviqit.
E fjalimi i tij i mbajtur sot para mbi 6 mijë protestuesve në Mitrovicën e Veriut dëshmon pikëpamjet e tij politike. Ivanoviq foli për vijat e kuqe për serbët e veriut, për “pastrimin etnik të serbëve në Kosovë” dhe për bashkimin e serbëve, me siç tha ai, shtetin e tyre, Serbinë.
Ivanoviq akuzoi shtetin e Kosovës dhe u bëri thirrje qytetarëve serb të veriut që të bëjnë rezistencë, ndaj siç u shpreh ai, “dhunës së vazhdueshme të shqiptarëve”.
“Ju jeni dëshmitarë të dhunës së shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar qysh 20 vjet, edhe të vrasjes së serbëve, dhe pastrimit etnik të serbëve, dhe tregtisë me organet serbe”, është shprehur Milan Ivanoviq.
“Dhe natyrisht vëllezër dhe motra, dhuna po vazhdon në kontinuitet, sot është lloj i dhunës ekonomike dhe futjes së haraçit ndoshta do të kërkojnë haraç në gjak, e ky Haradinaj, sikur po e përfaqëson Perandorinë Otomane, sikur po e përfaqëson Perandorinë Austro-Hungareze, thotë pranoni shtetin tonë Kosovë e pastaj do ta heqim këtë gjobë, këtë 100 për qindshin në ushqimin serb, e pastaj, nëse këtë nuk e bëni në afat prej një muaji do ta rrënojmë pushtetin e juaj, pushtetin serb në Beograd nëpër rrugë”, ka thënë Ivanoviq gjatë protestës në Mitrovicën Veriore.
Në rikthimin e tij publik, Ivanoviq deklaroi se serbët e veriut duan liri. “Duam shtetin tonë, i cili do të na mbrojë”, i tha Ivanoviq, protestuesve.
“Për fat të keq, këto porosi po i dëgjojmë edhe nga disa nënlidhje opozitare, të cilët si duket e kanë skenarin e njëjtë. Vëllezër e motra, cila është kërkesa jonë kryesore, duam bukë, jo, kërkesa jonë është duam liri, duam shtetin tonë i cili do të na mbrojë. Këto janë kërkesat tona kryesore”, deklaroi ai.
Insajderi pati raportuar në fillim e këtij viti për aktivitetin politik të Milan Ivanoviqit, i cili ishte kundërshtari politik i Oliver Ivanoviqit në Mitrovicën e Veriore.
Në një raport të KFOR-it shkruante se Oliver Ivanoviq kishte konkurrencë me Milan Ivanoviqin në Këshillin Nacional Serb të Veriut.
Por, tash Ivanoviq thotë se nuk është pjesë e asnjë partie politike.
“Nuk jam pjesë as e Partisë Përparimtare Serbe, e as anëtar i Listës Serbe, e as përkrahës i kryetarit Vuçiq, flas atë çfarë po mendoj. Më herët e kemi pasur atë manekinin i cili e ka bërë këtë, tani e kemi njeriun i cili punon ditë e natë, i cili po lufton si luan dhe ka kapacitet të madh, edhe juridik, edhe politik edhe kombëtar, e dimë të gjithë, ka qenë shpesh këtu, e dimë se ai di çdo institucion, çdo vend në Kosovë, dhe bashkarisht do të luftojmë”, u shpreh sot Ivanoviq.
Fjalimin e tij, Milan Ivanoviq e përmbylli me dy fjalë: “Rroftë Serbia”.
Edhe prej se është zgjedhur drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicën Veriore, Ivanoviq ka punuar kundër shtetit të Kosovës.
Në vitin 2016, Milan Ivanoviq nuk i kishte pranuar për vizitë anëtarët e Komisionit për Shëndetësi të Parlamentit të Kosovës. Këtij organi të parlamentit nuk iu aprovua kurrë kërkesa që të shoh nga afër Spitalin në Veri të Mitrovicës, të cilin e drejton Ivanoviq.
Se nuk i do mysafirët që përfaqësojnë shtetin e Kosovës, Ivanoviq tregoi edhe kur ishte pyetur se a do e priste për vizitë kryeministrin e Kosovës.
“Është mision i pamundur në këtë moment për shkak se ne jemi me Sistemin e Serbisë dhe një vizitë e tillë do të rriste tensionet te mjekët dhe pacientët”, ka thënë ai. /Insajderi.com