Qeveria e Kosovës vazhdon të ngulë këmbë se deri në përmirësim të gjendjes lidhur me të drejtat e shtetit kosovar, taksa prej 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës do të vazhdojë.
Eurodeputeti theksoi se kjo taksë përbënte shkelje të marrëveshjes së CEFTA’s, dhe si e tillë rrezikon rritjen e masave të tilla doganore në rajon, shkruan gazetametro.net.
”Bashkëpunimi rajonal në ekonomi është vendimtar. Dogana të reja do të thotë të ecësh gjithmonë një hap mbrapa, në vend që të ecet drejt njëri-tjetrit. Ne i trembemi një ashpërsimi të mëtejshëm të fronteve me doganat e reja, prandaj bëj thirrje, ashtu si e Ngarkuara e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini për vetëpëmbajtje dhe heqjen e doganave nga ana e Kosovës, të cilat shkelin edhe thelbin e marrëveshjes ekonomike, CEFTA. Palët duhet që në dialog të dërgojnë sinjale të paqes dhe bashkëpunimit”, ka thënë Fleckenstein.
E duke iu përgjigjur eurodeputetit, i cili kërkoi që Kosova ta heqë taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, Zyra e Kryeministrit i kanë thënë Gazetës Metro se ‘vendimi për taksën do të qëndrojë’.
“Ne si Qeveri e Kosovës kemi dhënë arsyet tona konkrete se pse është marrë ky vendim. Këto arsye vazhdojnë të qëndrojnë, do të thotë nuk është bërë ndonjë përmirësim sa i përket të drejtës së Kosovës. Derisa të jetë kështu edhe vendimi për taksën do të qëndrojë”, ka thënë për Metron Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë.
Sidoqoftë, reagim të njëjtë të Qeverisë pati edhe dje, kur kërkesë për heqjen e taksës pati edhe sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo. Ata kanë potencuar të njëjtën gjë edhe dje, duke theksuar se taksa do të qëndrojë deri në përmirësimin e qasjes së Serbisë.
Ndryshe, taksa 100% e Kosovës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja është vendosur të mërkurën e kaluar, dhe ka marrë përkrahje të të gjithë aktorëve politikë, e madje edhe biznesorë në Kosovë./gazetametro.net