Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e uron futbollistin e Kombëtares tonë, Milot Rashica, për çmimin e fituar nga FIFA. Milot Rashica pati paraqitje shumë të mira në ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku Kosova e mbylli Grupin 3 të Ligës D në pozitën e parë, derisa Rashica shënoi dy gola.
“Urime Milot! Përgëzimet më të mira nga unë dhe i gjithë komuniteti i futbollit në Kosovë. Shpresoj që edhe Kosova do ta marrë çmimin e kualifikimit të Evropianit, ashtu qysh ju e morët këtë çmim nga FIFA dhe që po na gëzoni me paraqitje të mira si në kombëtaren tonë, ashtu edhe me klubin tuaj Werder Bremen.
Besoj se edhe në të ardhmen do të vazhdoni me paraqitje të shkëlqyeshme si ju, ashtu edhe të gjithë bashkëlojtarët tuaj dhe do ta nderoni vendin tuaj në mënyrën më të mirë të mundshme. Uroj që të ketë edhe shumë çmime tjera për ju dhe futbollistët e tjerë të Kombëtares sonë, në mënyrë që ta ngritni edhe më shumë Kosovën dhe veten e juaj në arenën ndërkombëtare”, thuhet në urimin e presidentit Ademi.