Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka vizituar të lënduarit në aksidentin tragjik që ndodhi në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan.
Me këtë rast, Mustafa ka shprehur ngushëllimet për familjet e qytetarëve që humbën jetën në këtë aksident tragjik.
Ministri gjithshtu u interesua për gjendjen shëndetësore të ambasadores turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç, e cila u lëndua në këtë aksident si dhe të lënduarëve tjerë.
Mustafa u ka bërë thirrje vozitësve që të kenë kujdes të shtuar në këtë kohë kur fillojnë të përkeqësohen kushtet atmosferike si dhe respektimin e rregullave të qarkullimit në trafik.
“Aksidentet në përgjithësi e sidomos humbja e jetëve njerëzore në aksidente trafiku është shqetësuese dhe e dhimbshme jo vetëm për MPB-në por edhe për institucionet tjera dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Prandaj menjëherë kam kërkuar një mobilizim dhe qasje më gjithëpërfshirëse nga të gjithë akterët që kanë rol dhe ndikim në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në këtë fushë”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.