Gjatë ditës se djeshme u përhap lajmi se një kompani gjermane po ofronte vende pune për në aeroportin e Hamburgut.
Një numër i madh i qytetarëve ishin mbledhur te Shtëpia e Kulturës në Prizren që të arrijnë të bëjnë kontratë punësimi.
Mirëpo, në fakt, kjo kompani nuk ekziston fare.
Aty, një “kompani gjermane” po prezantonte 2,000 vende pune, kryesisht në fushën e aviacionit në aeroportin e Frankfurtit, dhe se sipas tyre ata kishin ardhur në Kosovë që për këto pozita të rekrutonin staf nga këtu.
E tëra kjo po tingëllonte si një tregim tepër i mirë, madje aq i mirë sa që vështirë të besohet. Prandaj EkonomiaSot i’u përvesh punës që të gjente të vërtetën prapa kësaj ndodhie.
Nga hulumtimi i deritanishëm i EkonomiaSot, del se premtimi për 2,000 vende pune është mashtrim, ndërsa “kompania gjermane” që ka prezantuar sot në Shtëpinë e Kulturës në Prizren është kompani fiktive, e cila nuk ekziston fare.
Me sa duket, qëllimi këtu është që qytetarëve fatkeq dhe të dëshpëruar për një vend pune në Gjermani, t’u mirren nga 1,800 euro (aq sa u tha se do të kushtojë aplikimi) dhe pastaj kompania që ka organizuar këtë ngjarje të zhduket nga faqja e dheut. Duke i lënë kështu “aplikantët” pa një adresë se ku mund të ankohen.
Cila është kompania që premton 2,000 vende pune në Gjermani, dhe kush qëndron prapa saj?
Në media me datën 23 tetor 2018 ishte publikuar lajmi se dy kompani në lidhje me ofertën për “2,000 vende pune”. Njëra është kompania gjermane “OBM Aviation”, e cila thuhet se ofron vendet e punës, si dhe kompania “BSB Aviation”, e cila me sa duket është partneri vendor.
Në bazë të hulumtimit të EkonomiaSot, del se kompania gjermane “OBM Aviation” nuk ekziston fare, kurse kompania vendore “BSB Aviation” del të jetë regjistruar tek më 23 tetor 2018, në të njejtën kohë kur mediat në Kosovë shkruajtën për të.
Kompania “BSB Aviation” është regjistruar në formën Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK), me kapital prej vetëm 1,000 euro, ndërsa pronar figuron të jetë një person i quajtur Bujar Berisha.
Ky lloj formati (SHPK) nënkupton se në rast të ndonjë padie eventuale nga palët e dëmtuara, maksimumi që të gjitha palët së bashku mund të marrin si dëmshpërblim është shuma totale prej 1,000 euro.