Dje shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit” ka ndarë 28 shtëpi e banesa për familjet nevojtare, në festën e 28 Nëntorit.
Drejtuesi i kësaj shoqate Halil Kastrati ka bashkëpunuar edhe me Komunën e Prizrenit për të përmbushur premtimin që kishte dhënë më parë.
Në ceremoninë ndarëse të çelësave, Kastrati ka pasur të ftuar figura të rëndësishme nga jeta politike. Aty kanë qenë edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka, deputeti i LDK-së nga Prizreni Haxhi Avdyli, e të tjerë njerëz nga politika.
Megjithatë, ajo që ka rënë në sy në këtë ceremoni është se përderisa radhën për të folur e kishte marrë Albin Kurti, fare pranë tij ishte rivali i tij politik Kadri Veseli, i cili nuk ka ngurruar ta duartrokasë Kurtin kur ai ka mbajtur fjalim.
Në video qe e ka publikuar Kurti në Facebook, është kujdesur që ta shfaqë fare pak Veselin, mirëpo duart e tij vërehen duke duartrokitur përderisa ai fliste, e herë-pas-here shfaqej edhe fytyra e tij duke shikuar drejt Kurtit.
Kur Kurti jepte kritika ndaj pushtetit, Kastrati e shikonte Veselin dhe qeshte, sa për ta zbutur situatën.
Në Facebook fotografi nga ceremonia ka publikuar edhe Kadri Veseli, i cili po ashtu, sikurse Kurti, është përkujdesur që të mos e shfaqë kryetarin e VV-së në ndonjërën prej tyre. /Periskopi