Derisa Inspektorati i Punës në 100 vendpunishte të ndërtimtarisë ka ndërprerë punimet në mungesë të skeleve, Shoqata e Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor po vazhdon përpjekjet për ndërprerjen e këtij aksioni. Në anën tjetër Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pritet që nesër të dal me një vendim në lidhje me këtë çështje, shkruan Ndërtimi.info.
Se MMPS-së nesër do të dalë me një vendim për Ndërtimi.info e ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve dhe Prodhuesve të Materialit Ndërtimor, Faton Hoxha.
Ai, ka treguar se kanë zhvilluar një takim me ministrin e MMPS-së, Skender Reçica, derisa ka theksuar se ndër kërkesat ka enë që punët të vazhdojnë me plotësimin e kushteve minimale të sigurisë në punë.
“Ne jemi takuar të enjten me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica i kemi diskutuar gjërat dhe sipas gjasave nesër do të merret vendimi për ta zgjidhur situatën. Ne i kemi kërkuar një afat dhe secili që i plotëson kushtet minimale sipas rregullores t’i vazhdojë punët. Prej 101 punishteve që janë mbyllur, 17 veç i kanë plotësuar kushtet minimale. Prej nesër të shohim si po procedojmë. Skelja nuk është për momentin e vetmja mënyrë, ka edhe mënyra tjera që i parasheh rregullorja. Ne kemi kërkuar afat deri në fillim të sezonit të ardhshëm”, tha ai për Ndërtimi.info.
Sipas tij, ministria nuk arsye të mos i përmbushë kërkesat e drejtuara, derisa shtoi se asnjë rregullore nuk e përcakton çështjen e skeleve mbrojtëse gjatë punimeve ndërtimore.
“Nuk është në asnjë rregullore kërkesa decidive për skele. Ka mënyra tjera për sigurim të objektit e në disa objekte është e pamundur të përdoret skelja. Një e gjë e dimë të gjithë që gjendja nuk është e mirë dhe duhet të merren masa”, shtoi ai.
Ndërsa, kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi ka bërë të ditur për Ndërtimi.info se në Prishtinë ka përfunduar inspektimi dhe se përveç ndërprerjes së punimeve ka pasur edhe shqiptim të gjobave.
“Në Prishtinë në një farë mënyre është rrumbullakosura inspektimi i kësaj natyre, sepse sipas inspektorëve në teren janë inspektuar të gjitha vendpunishtet. 100 prej tyre janë pezulluar punimet. Në 16 raste ne i kemi lejuar punimet sepse i kanë plotësuar kriteret e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ndërsa, në dy raste kemi shqiptuar gjoba sepse ata kanë shkelë vendimet e inspektorëve. Do të thotë jo paraprakisht. Por pasi që ka shku inspektori ka bërë pezullimin. Ne po mundohemi në këtë mënyrë të mbrojmë punëtorin, të krijojmë një standard më të lartë nga siguria dhe shëndeti në punë sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm se gjendja në vendin e punës nuk ka qenë e mirë”, tregoi Ibrahimi.
Ibrahimi ka theksuar se brenda nëntorit apo eventualisht në mesin e dhjetorit do të inspektohen të gjitha vendpunishtet dhe aty ku nuk ka skele mbrojtëse dhe siguri në punë, punët do të pezullohen.
Aksioni i Inspektoratit të Punës ka ardhur si pasojë e shtimit të vdekjeve në vendin e punës. Vetëm në periudhën kohore janar-tetor (2018) në vendin e punës kanë humbur jetën 19 punëtorë të ndërtimtarisë dhe dhjetëra tjera janë lënduar.