Dy rezultatet pozitive të para dy javëve të ekipit kombëtar të Kosovës në futboll bënë që në renditjen e FIFA-s për muajin nëntor, Kosova të avancojë për 6 vende.
Federata e pranuar në FIFA para dy viteve tashmë gjendet në vendin 131 të ranglistës botërore, nga vendi 137 ku kishte qenë një muaj më parë.
Ky avancim i Kosovës erdhi pas fitoreve bindëse që futbollistët kaltër-e-verdhë arritën ndaj Maltës (5:0) si mysafir dhe Azerbajxhanit (4:0) si vendas.
Me këto fitore, Kosova e vulosi vendin e parë në grupin ku gjendeshin edhe Ishujt Faroe dhe në edicionin e ardhshëm të Ligës së Europës do të promovohen në një ligë më të vështirë, Ligën C.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, në një deklaratë për KALLXO.com është shprehur i lumtur për progresin që po tregon kombëtarja e Kosovës si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
“FIFA i ka parametrat se si e bën ngritjen, na gëzon fakti që jemi duke u ngritur vazhdimisht dhe normalisht ne kemi qejf të ngritemi ashtu edhe siç po shkojmë edhe me rezultate edhe me formimin e ekipit edhe me Federatën. Normalisht çdo ngritje është e mirë për federatën, sepse ta vlerëson punën, në këtë rast e vlerëson punën e ekipit nacional, ekipit të kombëtares A. Sigurisht se do të mundomi të ngritemi më lart me rezultatet e tona”, ka thënë Ademi për KALLXO.com.
Ademi tha se kualiteti që ka ekipi kombëtar i Kosovës nuk krahasohet me kombëtarët që janë afër saj në renditje, por shpjegoi se kombëtaret tjera kanë kohë më të gjatë të pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare.