Rikthimi i hoxhës Shefqet Krasniqi në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, po vazhdon të komentohet edhe më tutje.
Bashkësia Islame e Kosovës, para dy ditësh vendosi që Krasniqi të kthehet në Xhaminë e Madhe, por jo si imam, por vetëm si ligjërues, shkruan Periskopi.
Në një përgjigje për Periskopin, hoxha Osman Musliu thotë se nuk do të merrej me rikthimin ose jo të Krasniqit në Xhaminë e Madhe.
Ai vetëm thotë se do të duhej që ‘hoxhë Shefqeti të kthehej ne fillet e tij’ duke shtuar se ‘duhet të dihet kush e ndihmoi rritjen/ famën e tij’.
‘Unë si njeri, si besimtar, edhe më hiq si imam, nuk guxoj t’i gëzohem fatkeqësisë së askujt, gjithashtu as nuk më vjen keq për të mirën që e gjen dikë. Për mua si Osman, nuk është lajm kthimi i Shefqet Krasniqit në xhami. Unë mendoj se më interesant do të ishte me u kthy Shefqeti te vendi dhe historia nga ku filloi të bëhet i madh. Si u bë kaq i famshëm, kush e ndihmoi të bëhet kaq i madh dhe kaq i famshëm në tërë Kosovën dhe më gjerë…!?’, ka thënë ai shkurt por nuk ka folur më tutje për konstatimin e tij se ‘kush e ndihmoi të bëhej siç thotë ai, i madh në tërë Kosovën’./PERISKOPI