Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vizitën në Kosovë, gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me kryeministrin Haradinaj ofendoi ata që e quajnë tradhtar Thaçin.
Rama, ashtu si një pjesë e madhe e politikanëve në Shqipëri, njihet për përdorim të gjuhës degraduese ndaj atyre me të cilët s’pajtohet, shkruan gazetametro.net
Gjuha degraduese nuk mungoi as kësaj radhe, pasi Rama ofendoi ata që e quajnë tradhtar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
‘’Unë vetëm di të them që Hashim Thaçi është president i Kosovës dhe komandanti i ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Dhe di të them që ai që e quan Thaçin tradhtar është gomar, kaq di të them.
Duke qenë se Haradinaj ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj Thaçit për shkak të korrigjimit të kufijve dhe duke qenë që edhe VV e ka cilësuar presidentin si tradhtar, shtrohet pyetja nëse Rama iu drejtua atyre me këtë ofendim dhe cilësim.
Ndryshe, sot gjatë vizitës së Ramës, Kosova dhe Shqipëria nënshkruan 9 marrëveshje me rëndësi, që kishin për prioritet doganat dhe çështjet financiare. /gazetametro.net