Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhte po të ishte Safet Gërxhaliu në krye të Odës Ekonomike të Kosovës. Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar Gërxhaliun, i cili ka përmendur disa arsye se pse Vuçiq mund ta ketë thënë një deklaratë të tillë.
“Turp që e kanë larguar Safet Gërxhaliun nga Oda Ekonomike e Kosovës, ai e dinte se çfarë është tregtia dhe çfarë është ekonomia”, tha Vuçiq sot në një konferencë për media.
Gërxhaliu nuk ka dashur të komentojë deklarata të tilla politike pas vendimit të Qeverisë për taksën, por për Periskopin ka deklaruar se sa ishte në krye të Odës Ekonomike të Kosovës, prioritet kishte bashkëpunimin rajonal, përfshirë atë me Serbinë.
“Dëgjova për një deklaratë të tillë, por jam i prirur të mos t’i komentoj deklaratat e tilla politike. Në këtë drejtim duhet të theksoj të vërtetën, se dialogu, partneriteti dhe bashkëpunimi rajonal kanë qenë prioritet në mandatin tim si kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës dhe në këtë drejtim kam tentuar të kem një bashkëpunim të barabartë për të gjithë, e tani nuk e kam komoditetin të vendos apo të heq taksa, por mbi të gjitha e kam synim zhvillimin ekonomik të vendit tim. Dhe në këtë drejtim, edhe atëherë edhe sot është obligim qytetar të përkrahim vendime të tilla qeveritare dhe mirëqenia e vendit tim është prioritet i prioriteteve, andaj duhet të jemi me institucionet tona dhe vendin tonë, sepse nuk kemi atdhe apo vendlindje alternative, por në këtë drejtim nuk duhet të biem pre e provokimeve dhe deklaratave ndoshta tendencioze të qarqeve apo grupeve të caktuara ngado që vinë ato”, ka thënë Gërxhaliu për Periskopin.
Tutje, Gërxhaliu tha se mbështet vendimin e fundit të Qeverisë për vendosjen e taksës për produktet serbe dhe boshnjake, pasi beson se ajo mund të stimulojë bashkëpunimin dhe zgjidhjen e barrierave ekonomike mes dy vendeve.
“Si Odë Ekonomike ne kemi arritur të jemi partner të barabartë në të gjitha instancat ndërkombëtare. Andaj, ka qenë e obligueshme edhe bashkëpunimi mes odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor, dhe në veçanti me Odën Ekonomike të Serbisë dhe në këtë drejtim kemi pasur takime e aktivitete, në të cilat besoj se është bazuar deklarata e Vuçiqit. Unë ka kohë që kam kërkuar që të bëhen zgjidhje për dialog, e për zgjidhje sa më konkrete të problemeve, por edhe besoj që ka qenë momenti i fundit për ndërmarrjen e masave të tilla. Për hir të interesit të shtetit dhe qytetarëve, vendime të tilla duhet të mbështeten. Në këtë drejtim besoj që ka qenë një moment që s’ka pasur alternativë, por në fakt unë besoj që kjo masë do ta motivojë dialogun dhe do të zgjidh barrierat ekonomike mes dy vendeve, jo vetëm me Serbinë e Bosnjën, por edhe me vendet tjera të Ballkanit”, shtoi Gërxhaliu.
Ai ka folur edhe për mundësinë e ndikimit të taksës në rritjen e çmimeve të produkteve tjera dhe kundër-efektet tjera në ekonominë e Kosovës.
“Nuk dua të besoj se një vendim i tillë është i prirur më shumë politikisht. Besoj që institucionet kanë bërë analiza paraprake, pasi këto janë vendime të mëdha dhe të vështira. Nëse s’ka analizë paraprake, atëherë do të ketë efekte. Por besoj që është menduar”, deklaroi ai.
Fare në fund, ai ka folur edhe për kritikat që i ishin drejtuar atij për pjesëmarrjen e bizneseve të shumta serbe, në panairet që organizoheshin në Kosovë.
“Ne kemi pasur punë promovimin e bashkëpunimit rajonal. Besoj që ka qenë një frymë që ka kontribuar në promovimin e Kosovës dhe partneritetin e rajonit, si dhe përmirësimin e imazhit të vendit. definitivisht kemi menduar se bashkëpunimi do t’i eliminojë barrierat, të cilat duhet t’i takojnë të kaluarës”, përfundoi ai.
Kryetari aktual i Odës Ekonomike të Kosovës është Berat Rukiqi, i cili po ashtu ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për taksë ndaj produkteve serbe./PERISKOPI