Kongresmeni amerikan, miku i Kosovës Eliot Engel ka thënë se Amerika do të pranojë çfarëdo vendimi që liderët e Kosovës marrin për çështjen e kufijve Kosovë-Serbi.Këtë deklaratë Engel e bëri pas takimit që zhvilloi me Presidentin Hashim Thaçi, i cili është duke zhvilluar vizitë zyrtare në SHBA.I pyetur se çka mendon për temën e ngritur së fundi nga Thaçi, që përfshin korrigjimin e kufirit Kosovë-Serbi, Engel ka kujtuar se shteti i tij do të mbështesë Kosovën në çdo vendim.
“Nuk dua të kaloj në specifika, dua vetëm të them se Amerika është me Kosovën, çka do që Kosova, liderët e Kosovës vendosin të bëjnë, Amerika do të ndihmojë në çdo mënyrë të mundshme”, ka thënë shkurt Engel.Ai ka folur edhe për miqësinë ndërmjet dy shteteve.“Diskutuam marrëdhënien e afërt në mes të Kosovës dhe Amerikës, folën për ecjen përpara dhe faktin se të dy duam të shohim integrimin e Kosovës në organizatat evropiane dhe ato ndërkombëtare. Ishte një bisedë shumë e mirë, ne jemi miq që shumë vite, dhe pres që të vazhdoj përkrahjen për njerëzit e Kosovës, në kuptimin e bashkëpunimit të ngushtë që kemi me Kosovën”, tha Engel.
Në fjalën e tij, Thaçi ka thënë se SHBA me të gjitha institucionet e saj mbështet arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.“Gjithmonë kënaqësi të takoj mikun e madh të Kosovës, kongresmenin amerikan, Eliot Engel. Kongresmeni Engel në tri dekadat e fundit e ka përkrahur vazhdimisht vendin tonë në jetësimin e aspiratës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Mbështetja e tij dhe e SHBA-së për Kosovën ka qenë, është dhe do të mbetet përherë jetike për popullin dhe vendin tonë”, ka shkruar Thaçi.