Kosova sot ka dështuar që të anëtarësohet në INTERPOL. Ambasada e Britanisë së Madhe përmes një reagimi për media thuhet se anëtarësimit i Kosovës në këtë organizatë do të mundësonte një bashkëpunim më të mirë ndërmjet organeve të zbatimit të ligjit, transmeton “Zëri.info”.
Po ashtu në reagim thuhet që Britania e Madhe është e zhgënjyer pas dështimit të anëtarësimit të kosovës në INTERPOL.
“Britania e Madhe është e zhgënjyer që kërkesa për anëtarësim në Interpol të Kosovës ka qenë e pasuksesshme në Dubai sot. Kosova ka punuar shumë për t’u bërë anëtare të Interpolit. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të mundësonte një shkëmbim më të mirë të informacionit ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe do të përmirësonte sigurinë evropiane dhe globale. Kriminelët tashmë bashkëpunojnë lehtësisht përtej kufijve: për t’i luftuar ata në mënyrë efektive, autoritetet tona të zbatimit të ligjit duhet të jenë në gjendje të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në reagimin e Ambasadës. /ZERI