Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk ka pranuar të flas për çmimin që i është ofruar këngëtares me famë botërore Shakiras që të këndojë në hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë.
Bahtiri shpreson se çmimi nuk do të ishte problem për Shakrirën. Thotë se çmimi më i madh për të do të kishte qenë emërimi i urës me emrin e saj, raporton Insajderi.
“Ju duhet me e ditë që ajo është me famë botërore dhe duhet me u bë edhe siguria e saj. Kështu që është problem…”, tha Bahtiri në T7.
Ai çështjen e çmimit nuk e ka parë si problem. Thotë se çmimi për ardhjen e saj do të kishte qenë emërimi i urës me emrin e saj.
“Çmimi nuk është problem sepse, unë mendoj që nuk është gjithçka paraja për të. Ne kemi dashur që t’ia japim një çmim dhe emrin e saj t’ia jepmi urës që do të ishte më i vlefshëm se milionat. Nuk është gjithçka tek paraja, por edhe tek emërimi i saj, sepse nuk ka humanizëm më të madh se bashkimi i dy qyteteve. Unë dëshiroja që ura ta merrte emrin e saj që t’i bashkojë dy qytete të ndara tash e sa kohë”, ka thënë Bahtiri.