Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar qeverinë aktuale, se si rezultat i mospunës së saj, gjatë vitit të shkuar janë humbur hiq më pak se 16.000 vende pune.
Në një postim në Facebook, ai shkruan se për secilën ditë të Qeverisë PAN, nga 44 kosovarë mbesin pa punë.
Postimi i plotë i Abdixhikut në Faceebook:
Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Buxhetit 2019 e konfirmon se gjatë vitit të shkuar janë humbur hiq më pak se 16,000 vende pune. Jo që s’janë shtuar vende shtesë, por janë humbur edhe ato ekzistueset. Të dhënat e tyre, numrat e tyre, buxheti i tyre. Ky është një rekord i ri – gjithsesi i zi për shtetin tonë. Pra, për secilën ditë të Qeverisë PAN, nga 44 kosovarë mbesin pa punë. Secila ditë punë e kësaj Qeverie është ditë papunësie për 44 kosovarë të rinj. Ditë e rëndë për 44 familje kosovare. Jo që pritej ndryshe. Një qeveri e zënë me kapje institucionale e me rehatime partiake s’mund të prodhoj zhvillim për qytetarët e vet. Një qeveri që mendon vetëm për zëvendësministrat e vet, gati 100 sosh; që falë borxhe, paguan dënime e rehaton militantë në ndërmarrje publike s’mund të krijojë punë për askënd. S’dinë, s’duan, s’munden.