Në 25 vitet e martesës së saj, Bahrie Gashi ka pasur 19 shtatzëni, prej të cilave tri kanë dështuar dhe 16 kanë qenë të suksesshme.
Ditë më parë, 41 vjeçarja nga Prishtina e solli në jetë fëmijën e saj të fundit në kushte shtëpie.
Një ditë më pas, ajo është dërguar në spital ku po vazhdon të qëndrojë, me foshnjën e cila raportohet të jetë në gjendje stabile.
Ajo thotë se shtatzënia e saj ka qenë e paplanifikuar dhe se lindja ka ndodhur aq shpejt sa nuk ka pasur kohë për të shkuar në spital.
“Katër i kam lindë në spital të tjerat në shtëpi më ndihmën e Zotit dhe të vjehrrës. Vjehrra më ka ndihmu… më mirë në spital se është kujdesi më i mirë dhe pritja më e mirë”, thotë tash kur pas lindjes po e rimerr veten.
Ajo thotë se shkalla e lartë e tensionit ka qenë arsyeja pse ajo kreu lindjen në shtëpi, larg kujdesit mjekësor.
“Planifikimi ka qenë vetëm tre po qe Zoti deshti kështu. Për kushte financiare nuk janë për me u livdu, veç burri punon ndihmë nga shteti nuk marr, asistencë sociale nuk kam, popullata na ndihmon ngapak”, thotë ajo.